Mocioni i anëtarëve të Kuvendit të Aleancës për Shqiptarët (ASH) në mbështetje të kryetarit Arben Taravari, u konfirumua në takimin e kuvendarëve të partisë në Kumanovë, me një shumicë prej 75 kuvendarëve.
Kuvendarët e pranishëm njëzëri i dhanë përkrahje Arben Taravarit për formimin e një koalicioni shqiptar fitues, me kushtin që ky koalicion të përbëhet nga parti dhe figura të pa korruptuara, dhe të ketë në kontratën e vet themeluese zotimin për ndryshim dhe për dërgimin e BDI-së në opozitë. Kuvendarët gjithashtu kërkuan që ky koalicion ta përjashtojë bashkëpunimin paszgjedhor me forcat anti-perëndimore që nuk zotohen për ndryshimet kushtetuese që Maqedonia e Veriut duhet t´i bëjë për të vazhduar rrugën evropiane.
Po ashtu u mbajt edhe mbledhja e Kryesisë së partisë në të cilën morën pjesë 17 nga gjithsej 30 anëtarë sa numëron ky organ. Të gjithë anëtarët e kryesisë, votuan pro qëndrimit të kuvendarëve dhe zgjodhën Bujare Abazin për shefe të shtabit zgjedhor të partisë. Aleanca për Shqiptarët njoftoi se me këtë vendim, pushojnë së funksionuari organet partiake dhe se kompetencat kalojnë në shtabin qendror zgjedhor dhe shtabet komunale të cilat do të formohen në vijim.