Fotografia e madhe e Sekretarit Blinken në universitetin e Tiranës te Nënë Tereza, njësoj si ajo e Papës kur dhe shkelqesia e tij vizitoi Shqipërinë, padyshim i shijon Edi Ramës dhe Qeverisë së tij. Rama dhe të tijët e duan Sekretarin e Shtetit si Papë, jo thjesht për t’i rrëfyer mëkatet të cilat Blinken i gjen kollaj tek raporti i fundit i Departamentit të Shtetit, ku indeksi I korrupsionit, parave të pista dhe blerjes së mediave dhe votave, është në ditën më të zëzë: Rama dhe të tijët e duan Blinken si Papë për të larë pikërisht këto mëkate të përshkruara në Raport, për të larë mëkatin e korruptimit të Zyrtarit të lartë të FBI Mg Gonigal, që më shumë turpëroi Amerikën se Shqipërinë, për t’i shtuar tulet oligarkisë dhe për të betonizuar autokracinë.
Unë nuk jam naiv të besoj, se për herë të pare një zyrtar i Lartë Amerikan, kur bëhet fjalë për një vend të vogël si Shqipëria, në raportin mes Stabilitetit dhe Demokracisë, dhe sidomos në këtë kohë të trazuar jo vetëm për rrajonin tonë po për të gjithë botën, do të anojë në zgjedhje nga DEMOKRACIA në vend të STABILITETIT, por disa përpjekje dhe pikërisht me Këshilla “Made in Usa” do t’i bëj që të paktën vizita e një Sekretari Shteti mos përfundojë si vizita e lobuar e një Pape me sapun në dorë për të larë mëkatet e autokratëve të korruptuar.
Përshembull, do isha i lumtur që të paktën në avion rrugës për në Shqipëri, një nga vartësit e tij, ti lexonte vetëm 30 sekonda një pjesë nga fjalimi i një Sekretari tjetër Shteti, mbajtur fiks për koicidencë në muajin Shkurt plot një dekadë më parë. Ja cfarë tha fjalë për fjalë Jonh Carry në atë fjalim historik jo thjesht diplomatik dhe pikërisht kur sapo kishte filluar kriza në Ukrainë: “Aspiratat e qytetarëve përsëri po nëpërkëmben nga korrupsioni, nga interesat e oligarkëve, të cilët përdorin paratë për t’i marrë frymën opozitës politike, për të blerë politikanë dhe median, si dhe për të dobësuar pavarësinë e gjyqësorit e të shoqërisë civile”.
Do isha dyfish i lumtur sikur qoftë dhe disa sekonda në dremitje e sipër po në avion Sekretari Blinken të risillte në mendje qoftë edhe në gjumë Doktrinën e Presidentit Biden “ Demokracia përballë Autokracisë”, doktrinë e formalizuar në të ashtëqujturat dy Samitet e Demokracisë mbajtur në 2021 dhe 2022 në Uashington.
Do isha trefish i lumtur, sikur vec 15 sekonda, që po dikush nga vartësit thjesht në avion, ndoshta fill pasi stjuardesa ti jepte picetën e lagur sekretarit Blinken pas ushqimit, t’i risillte një tjetër thënië të një zyrtari tjetër të lartë Amerikan, po disa vite më parë që ta kishte sidomos parasysh kur të takojë qoftë Ramën apo qoftë dhe Dumanin. Ja cka thënë në mënyrë eksplicite Jonathan More: “Të luftosh korrupsionin nuk do të thotë që ata që kanë pushtetin sot, të ankohen për ata që kishin pushtetin më parë?. Nuk duhet të bëhet fjalë thjesht për fajësim të paraardhësve”.
Do isha katërfish i lumtur, shumë i lumtur, neqoftëse dikush do ia rikujtonte Sekretarit Blinken përpara se të zbriste në tokën Shqiptare atë që bisedova dhe me Presidentin Bush gjatë intervistës që pata me të në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2007 ku dha dy lajme të rëndësishme Kosova e Pavarur dhe Shqipëria në NATO: “Që qeveri pro Amerikane është e lehtë të gjeh në këtë rrajon, por popuj pro amerikanë jo dhe aq lehtë”. Rri i qetë Sekretari Blinken, se dhe kjo opozitë është po aq servile dhe vasale ndaj jush sa ju mer jo vetëm muxhahedinë dhe afganë, por rrezik dhe armët kimike nëse i ripropozoni prapë. Kujdes, mbaje mirë me shqiptarët, respekto disa parime demokratike, disa ballanca, se nuk do jetë çudi që dhe shqiptarëve t’iu mbarojë dashuria e verbër për Amerikën dhe të përfundojnë me të njëjtat ndjesi të përziera ndaj jush si Grekët, Maqedonasit apo akoma keq Serbët.
Dhe së fundmi, i dashur Sekretari Blinken, të jem i sinqertë, jam pesëfish i lumtur, që ndryshe nga të gjitha Nogratat e tjera në Botë dhe në Rajon, ku është e shkruar e zezë mbi të bardhë konkretisht motivi i Nongratës, e shpallët Nongrata ish kryeministrin Berisha pa asnjë provë e asnjë fakt, duke i bërë një nder të madh demokracisë shqiptare. Pa këtë akt, sot nuk do të kishim pothuaj asnjë digë demokracie e rezistence opozitare, do të kishim shumë e shumë më pak denoncime të këtij regjimi kleptokratik, rrezik do të kishim një qeveri të përbashkët nga e majta der në të djathtë, përfitues të cilit do ishin një grusht politikanësh e oligarkësh, për të cilët Sekertari tjetër i Shtetit Johm Kerry dha alarmin po në shkurt fiks 10 vite më parë.