Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla thotë se ka marrë njoftim nga selia qendrore e INTERPOL se tashmë në sistemin e urdhër arrestit ndërkombëtar janë listuar të gjithë personat e dyshuar që realizuan sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
“Ky është një hap i rëndësishëm dhe si i tillë ka efektin e plotë atëherë kur Serbia e cila është duke strehuar dhe akomoduar këta terroristë, i dorëzon tek autoritetet tona për t’u përgjigjur para drejtësisë”, shkruan Sveçla në Facebook.
Sveçla thotë se llogaridhënia për organizimin dhe realizimin e sulmit terrorist të 24 shtatorit, ku mbeti i vrarë Rreshter Afrim Bunjaku, është e domosdoshme.
Më 24 shtator një grup paramilitarësh serbë, të udhëhequr nga famëkeqi Milan Radoiçiç, sulmuan fshatin Banjskë në veri të Kosovës, në tentativë për të shkaktuar destabilizim.
© SYRI.net