Mjegulla mëngjesin e sotëm shkaktoi një seri aksidentesh në autostradën A1 në shtrirjen midis Piacenza-s dhe Parmës, me të paktën 30 automjete të përfshira.
Agjencia e lajmeve ANSA raporton se 15 persona janë lënduar, duke theksuar se dy ndodhen në gjendje të rëndë. Ata janë transportuar me urgjencë në spitalin Maggiore në Parma.
Nga ana e policisë rrugore janë kryer disa patrulla, ndërsa mësohet se seksioni i A1 Piacenza-Parma u mbyll në të dy drejtimet.
Në seksionin e mbyllur kompania raporton trafik në drejtim të Bolonjës dhe të paktën shtatë kilometra radhë në drejtim të Milanos. Stacionet e Basso Lodigiano, Fiorenzuola dhe Fidenza mbeten të mbyllura në hyrje dhe në të dy drejtimet.