“Poligraf”: A është i saktë pretendimi se profesoresha Vankovska ka qenë gjithmonë kundër NATO-s?

Kur ka zgjedhje, politikanët dhe kandidatët shpesh bëjnë deklarata publike që janë të kundërta me atë që e kanë thënë në të kaluarën.

Më 14 shkurt 2024, “Plusinfo” publikoi tekstin me titull: “MAQEDONIA NUK FITOI ASGJE NGA NATO, DUHET TË DALË, Vankovska thotë se referendumi i 2018-tës ofron bazë ligjore për këtë”. Siç transmetoi Plusinfo, profesoresha Biljana Vankovska, si kandidate e partisë E Majta për zgjedhjet presidenciale, ka thënë: “Gjithmonë kam qenë kundër NATO-s, kam folur kundër anëtarësimit në NATO dhe kam qenë ndoshta e vetmja, përveç një koleg i imi më i vjetër, ky ishte qëndrimi im parimor. Dhe kam thënë, bile edhe me emrin kushtetues – jo për NATO-n”.

Çfarë deklaroi Vankovska në podkastin e portalit “Plusinfo”:

“E keni vënë re mirë që jam kundër NATO-s. Në të kaluarën kam folur bile edhe kur ishte e nxehtë çështja e emrit… çfarë të bëjmë…dhe isha e vetmja, përveç, të mos përmend emra, ndoshta edhe një koleg i imi më i vjetër, nuk di të tjerë se janë deklaruar publikisht si anti-NATO. Ky ka qenë qëndrimi im parimor. Dhe kam thënë, bile edhe me emrin kushtetues – jo për NATO-n”, tha Vankovska në podkast.

Mirëpo, a ka qenë Vankovska gjithmonë kundër NATO-s, siç transmeton Plusinfo?

Në internet ende mund të gjenden deklarata më të vjetra nga Vankovska, ku ajo në mënyrë eksplicite avokon anëtarësimin në NATO. Për shembull, në tekstin e “Dnevnik”-ut të botuar më 28 shkurt 2011 me titullin: “A mund përqafimi i Putinit ta zëvendësojë NATO-n?”, është përcjellë ky qëndrim i profesoreshës Vankovska: “Qëndrimi im është se ne kemi nevojë për neutralitet, gjegjësisht të hyjmë në NATO, por, si Islanda, të mos marrim aktivisht pjesë në misione ushtarake”.

Më tej në deklaratë, Vankovska pohon se “Maqedonia nuk mund t’ia lejojë vetes të mbetet ishull në këtë pjesë të Ballkanit” dhe se “Ky shtet i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim në NATO, për këtë janë investuar mjete të mëdha në ushtri, kështu që hyrja në një aventurë të re do të ishte një lojë dhe do të bënim nga e gatshmja – veresi”.

Padyshim, në vitin 2011, Vankovska ka thënë “të hyjmë në NATO”. Prandaj, mund të konsiderohen si të pabaza dhe jokonzistente pretendimet se Vankovska ka qenë “gjithmonë kundër NATO-s” ose se ka pasur qëndrim parimor kundër NATO-s. Politikanët dhe kandidatët kanë të drejtë të ndryshojnë pikëpamjet e tyre, por jo edhe të hutojnë qytetarët, besimin e të cilëve e kërkojnë. Andaj, mediat duhet të kontrollojnë deklaratat e tyre dhe të informojnë qytetarët kur zbulojnë mospërputhje të tilla.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme