Gazetare: Ajnur Bafqari
Fondi Shëndetësor fajin për mendimin negative për kurimin e Leonidit 17 vjeçar jashtë shtetit e hedh te Klinika Toariluc. Sipas Fondit nuk e kanë theksuar qartë se çfarë mjekimi i nevojitet Leonidit, prandaj edhe komisioni i shkallës së parë nuk ka dhënë pëlqimin.
“Kjo klinikë, ata ekspertë, specialistë nga kjo klinikë duhet konkretisht të theksojnë se cili është intervenimi konkret mjekësor. Kjo është shumë e përgjithshme dhe nuk mund të vihet në përfundim se cilin intervenim e kërkojnë. Prandaj kolegët, u drejtuam prapë te klinika që të parashtrojnë pyetjet. Edhe përskaj kësaj kërkese, morëm përgjigje prej klinikës Toariluc ku përsëri nuk është konciz, nuk është konkret dhe përsëri nuk thekson cili është intervenimi që duhet të bëhet. Në një situatë të tillë kur elementet thelbësore mungojnë, deri diku edhe komisioni i mjekëve është vendosur në një situatë të keqe“, deklaroi Magdalena Grashkoska Filiposka, Fondi i Sigurimit Shëndetësorë.
Prindërit e Leonidit kanë të drejtë që të ankohen ndaj vendimit të shkallës së parë të komisionit, sqarojnë nga Fondi. Filiposka thotë se nëse kanë dokumentacion mjekësor shtesë, kanë të drejtë të drejtohen te komisioni i shkallës së dytë. Ndërkohë zëvendësministrja e Shëndetësisë tha se prindërit e Leonidit nuk kanë marrë mendim nga një institucion kompetent lidhur me dërgimin e Leonidit jashtë vendit. Ajo tha se fillimisht duhet të shterren të gjitha mundësitë që i ofron sistemi shëndetësor në vend.
“Pacienti aspak nuk ka kërkuar, prindërit nuk kanë kërkuar asnjë mendim nga një institucion kompetent për mundësinë apo pamundësinë për rehabilitim apo mjekim të fëmijës në spitalet tona. Mendoj se fillimisht duhet të shkohet në atë rrugë, më pas ta shohim dokumentacionin mjekësor, ta shohim pacientit në mënyrë klinike dhe më pas kolegjiumi i ekspertëve i klinikave kompetente të jep mendim nëse ka mundësi për mjekim për vazhdim të mjekimit apo rehabilitimit në institucionet tona”, u shpreh Maja Manolleva, Zv Ministre e shëndetësisë.
Familja e Leonidit këmbëngul që Fondi ta ndryshojë vendimin pasi nëse do të kishte mundësi për ta trajtuar Leonidin në vend, nuk do të kishin vendosur fare për Austrinë. Vetëm dy javë më parë, autoritetet shëndetësore, si dhe përfaqësues të lartë të MPB-së, kanë regjistruar një video në të cilën mburreshin se djali i ri ishte pacienti i parë nga Maqedonia e Veriut, i cili me medikopter ishte dërguar për trajtim jashtë vendit. Leonid i mbijetoi një aksidenti të rëndë trafiku në Greqi verën e kaluar. Ai përfundoi me brinjë të thyera, dhe u trajtua fillimisht në spitalin e Selanikut. /Alsat.mk