Gazetar: Bashkim Sulejmani
Policia e Pyjeve ka ndaluar prerjen e druve përgjatë shtratit të Lumit Shkumbin, që Ndërmarrja Publike Komunale e Tetovës, po bënte në drejtim të preventimit nga vërshimet. Drejtori i ndërmarrjes publike Samet Bislimi tha për Alsat se bëhet fjalë për presione nga pushteti qendror, të cilat sipas tij shtohen çdo ditë e më shumë.
“Ne morëm një aksion për pastrimin e shtratit të lumit, gjë që është në kompetencë të komunës, pra mirëmbajtja e lumit Shkumbin që në rast vërshimesh, mos të na del lumi nga shtrati. Por si gjithkund që na bëjnë pengesa, edhe këtu na pengojnë dhe na detyrojnë ta ndalojmë punën sepse paskemi të drejtë ti presim por nuk kemi të drejtë ti heqim, pra, sipas tyre duhet ti lejmë drutë në lum. Ne e ndërpremë punën dhe nesër do merremi vesh disi që ti tërheqim ata dru prej Lumit dhe ti transportojmë në Policinë e Pyjeve”, tha Samet Bislimi, drejtor i NPK Tetova.
Kontaktuam edhe Pyjet e Maqedonisë së Veriut. Zv.drejtori Safet Miftari tha se prerja preventive e pemëve në emër të mbrojtjes nga vërshimet, duhet të bëhet nga Pyjet e Maqedonisë dhe jo nga Ndërmarrja Publike. Ai i kërkon Ndërmarrjes që me kërkesë të drejtohen tek Pyjet e Maqedonisë dhe të shenjëzohen se cilat pemë do duhet që të priten./Alsat.mk