Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), ka publikuar një artikull rreth vendimit të fundit për çështjen e pronave të Manastirit të Deçanit.
FAZ shkruan se në një konflikt që zgjati prej më shumë se një dekade për pronën e një manastiri ortodoks serb në Kosovë, Qeveria e Kosovës ka ndërhyrë në favor të murgjeve.
“Në qendër të këtij konflikti ishin 24 hektarë pyll dhe tokë bujqësore në afërsi të Manastirit të Deçanit në Kosovën perëndimore. Tokat i takonin Manastirit sipas disa vendimeve të gjykatave të larta të drejtësisë kosovare. Por, megjithëse Gjykata Supreme (2009) dhe Gjykata Kushtetuese (2016) kishin konfirmuar pretendimin e Manastirit për tokën, Zyra e Kadastrës nuk pranoi të bënte regjistrimet e tokës në favor të kishës për arsye politike”, shkruan e përditshmja gjermane.
Sipas FAZ, mospërfillja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese gjatë këtyre viteve ka penguar shanset e suksesit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, të cilin e kishte dorëzuar në maj të vitit 2022.