Kryetarja e delegacionit të përhershëm të Kuvendit të Serbisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), Biljana Pantić-Pilja, ka thënë se Komiteti Politik i Këshillit të Evropës e ka caktuar një takim të jashtëzakonshëm më 27 mars. Aty në rend dite është votimi i opinionit të raportueses Dora Bakoyannis për anëtarësimin e Kosovës në KiE, pasi Kosova ia regjistroi pronën Manastirit të Deçanit. Kalimi i tokës në pronësi të Manastirit ka qenë një prej kushteve që i është kërkuar Kosovë nga QUINT, por atë e ka kërkuar edhe raportuesja Dora Bakoyannis e ngarkuar nga Këshilli i Evropës për rastin aplikimit të Kosovës për anëtarësim.
“Sot u caktua një takim urgjent”- ka thënë për mediat përfaqësuesja e Serbisë atje.
Ajo ka shtuar se Bakoyannis ka pasur tri kërkesa për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës ndërsa dje u bë me dije se Kosova do ta përmbushë njërën – kthimin e tokës Manastirit të Deçanit.
Nëse opinioni i raportueses Bakoyannis kalon në Komitet. Atëherë dosja e Kosovës pritet të hedhet për votim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit Evropës. Në APKE Kosovës i duhen 2/3 e votave që çështja e anëtarësimit të trajtohet nga Komiteti i Ministrave të vendeve anëtare të cilët e thonë fjalën përfundimtare se a do të hyjë Kosova në këtë organizatë si anëtare me të drejta të plota.