Një projekt me qenë terapie, i nisur për herë të parë në Türkiye në Aeroportin e Istanbulit, synon të ofrojë një përvojë udhëtimi paqësor dhe të këndshëm për pasagjerët që ndihen të stresuar nga fluturimet, me mbështetjen e miqve të tyre katërkëmbësh, raporton Anadolu.
Sipas projektit pilot, pesë qenë terapie të stërvitur filluan detyrën në Aeroportin e Istanbulit.
Qentë merren nëpër aeroport të shoqëruar nga stërvitësit e tyre për të mbështetur pasagjerët me energjinë e tyre pozitive.
Qentë janë në detyrë në zonën e nisjeve ndërkombëtare gjatë ditës, veçanërisht kur fluturimet janë të shumta.
– “Qentë mund të takohen gjithandej në aeroport”
Abdülkadir Demirtaş, menaxheri i përvojave të klientëve në IGA, e cila drejton aeroportin, tha se çdo vit në aeroport vijnë miliona njerëz nga shumë vende.
Duke thënë se aeroporti zhvillon shërbime për nevoja dhe situata të ndryshme duke i dhënë përparësi kënaqësisë së pasagjerëve, Demirtaş vuri në dukje se udhëtimi ndonjëherë mund të jetë stresues.
Demirtaş deklaroi se për këtë arsye, menaxhmenti kujdeset për të ofruar një atmosferë të këndshme dhe relaksuese në aeroport.
“Efektet pozitive të ndërveprimit të njerëzve me kafshët në presionin e gjakut, stresin dhe nivelet e ankthit, janë vërtetuar nga shumë studime shkencore. Në dritën e këtyre studimeve, ne synojmë të ofrojmë një përvojë të këndshme udhëtimi pa stres në aeroportin tonë me qenë terapie”, shtoi ai.
Aeroporti dëshiron që mysafirët e tij të largohen nga aeroporti të lumtur dhe me kujtime të paharrueshme, theksoi Demirtaş.
“Mysafirët mund të takojnë qentë tanë gjithandej në aeroport”, tha ai.
Duke nënvizuar se projekte të ngjashme ka edhe në vende të tjera të botës, Demirtaş shtoi se përveç qenve, kuaj poni kryejnë detyra të ngjashme në aeroportet në SHBA dhe Kanada.
– “Stërvitja fillon kur ata janë këlyshë”
Veterineri Volkan Arslan tha se qentë i nënshtrohen procesit të stërvitjes për punën e tyre.
Duke thënë se pesë qen tashmë e kanë kaluar me sukses stërvitjen, Arslan tha se qentë kanë filluar të stërviten si këlyshë dhe se janë edhe katër këlyshë të tjerë në përgatitje.
Ai shtoi se kanë marrë reagime pozitive nga pasagjerët, duke shtuar se kujdesen për shëndetin e qenve dhe kanë programe mujore dhe javore për këtë qëllim.
– “Nuk kam parë kurrë diçka të tillë më parë”
Yunus Kızılaslan, një pasagjer, ishte i kënaqur nga qentë miqësore me njerëzit. “Është një program shumë i bukur, ne duam që ai të vazhdojë. Është shumë mirë që ata janë të stërvitur”, u shpreh ai.
Pasagjeri kinez Xi Yuki gjithashtu shprehu dashuri të madhe për qentë terapikë.
Duke thënë se konsideron projektin të dobishëm, Xi shtoi: “I dua shumë qentë dhe kafshët. Jam shumë i lumtur që i shoh këtu. Nuk kam parë kurrë një program si ky më parë”.
– Aeroport miqësor për kafshët
Në Aeroportin e Istanbulit IGA, ka gjithsej katër dhoma për kafshë për nevojat e kafshëve të vogla që udhëtojnë.
Dhomat e kafshëve shtëpiake janë të pajisura me produkte si ushqim për macet dhe qentë, kuti për nevojë dhe dërrasa për gërvishtje për macet.