Një pjesë e mediave vazhdon të transmetojë në mënyrë jokritike pretendimet nga Moska të pambështetura në fakte, duke u bërë lajmëtarë të propagandës ruse.
Më 20 mars 2024, portali A1on botoi titullin “Peskov: Zgjedhjet në Rusi ishin absolutisht të pastra dhe fer”, i cili depërtoi në grumbulluesin e lajmeve time.mk. Në titull dhe tekst favorizohet mesazhi i Kremlinit se zgjedhjet “ishin fer, pavarësisht akuzave nga qeveritë perëndimore, vëzhguesit e pavarur dhe opozita”.
Mirëpo, pretendimi se zgjedhjet në Rusi ishin “absolutisht të pastra dhe fer” nuk mbështetet në fakte. Së pari, në Rusi për herë të dytë nuk kishte mision për vlerësimin e zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-së për shkak të vendimit të Moskës për të mos ftuar vëzhgues, i cili nga përfaqësuesit e OSBE/ODIHR u vlerësua si një prapakthim demokratik.
Për atë se si ishin zgjedhjet në Rusi, më 14 mars 2024 u prononcua presidentja e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Pia Kauma. “Njerëzit shkojnë në zgjedhje, po, por eliminimi i çdo opozite të organizuar vitet e fundit, kontrolli efektiv i hapësirës mediatike nga pushteti aktual, si dhe cenimi i vazhdueshëm i lirive të shprehjes, organizimit dhe tubimit, të gjitha këto ngrenë dyshime nëse këto me të vërtetë duhet të konsiderohen si zgjedhje”, deklaroi Kauma.
Përveç OSBE-së, mbajtja e zgjedhjeve ruse në territoret e pushtuara të Ukrainës u dënua si ilegale nga përfaqësuesit e OKB-së, ndërsa Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Teodoros Rusopulos theksoi: “Këto zgjedhje nuk kanë legjitimitet. Nuk kishte kandidatë realë alternativë, nuk kishte media të lira, nuk ishin prezentë vëzhgues të besueshëm. Shoqëria civile është e heshtur. Dhe mbi të gjitha, këto zgjedhje u zhvilluan edhe në territorin e okupuar dhe të aneksuar ilegalisht të Ukrainës”.
Prandaj, pretendimi i Peskovit që e transmetuan mediat, se zgjedhjet në Rusi ishin “absolutisht të pastra dhe fer”, mund të vlerësohet si dezinformatë propagandistike e Moskës.