Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, në konferencën: “Angazhimi i Shoqërisë Civile kundër ekstremizmit të dhunshëm”, ka thënë se fenomeni i radikalizmit në shoqërinë tonë, fenomeni i ekstremizmit të dhunshëm që zakonisht përfundon në akte dhune deri në terrorizëm, nuk mund të luftohen vetëm në masa represive përkatësisht, vetëm nga institucionet e zbatimit të ligjit.
Ministri vuri në dukje se gjatë verës së vitit 2015, ka vizituar secilën komunë të Kosovës dhe ka pasur kënaqësinë të bashkëbisedojë me Këshillat Komunale për Siguri në Bashkësi dhe në vend që të përçoj mesazhe të atilla tek ata, ai ka mësuar shumë në debate dhe biseda që kamë zhvilluar me ta.
“Vetëm e kam rikonfirmuar një mendim që edhe ashtu e kam pasur shumë të konsoliduar, që është shoqëria civile, bashkësitë fetare, i gjithë spektri social dhe politik i vendit, ai që duhet të bëjë shumë më shumë punë se sa Policia e Kosovës, që është një polici e shkëlqyeshme, por nuk mund t’i bëj të gjitha punët”, tha ministri Hyseni.
Hyseni theksoi se para se policia të ketë punë, ne të gjithë bashkërisht mund të bëjmë punë më të madhe në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, përkatësisht në ndërtimin e një kundër-mesazhi efikas, efektiv dhe frytdhënës që do t’i bëj ata të rinj dhe të reja të Kosovës, që eventualisht mund të jenë tunduar nga mesazhet e mbrapshta që të lejnë rrugën e radikalizmit dhe t’i kthehen jetës normale.
“Kjo nuk mund të bëhet nga zyrat dhe këtu pajtohem me organizatorin e konferencës, sepse është mirë që të dilet në komunitet, me qytetarët e thjeshtë me grupet e targetuara, familjet, shkollat, bashkësitë fetare etj, në përçimin e atij mesazhi që i ofron njerëzit dhe kulturat, që afirmon mirëkuptimin ndër fetar dhe ndëretnik”, tha ministri Hyseni.