KSHZ në takim me BNJVL: Organizimi i zgjedhjeve demokratike është detyrim i përbashkët

Kryetari i Bashkësive të Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL), Orce Gjorgjievski, pati takim me kryetarin e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Aleksandar Dashtevski dhe me anëtarë të këtij organi.

Siç njoftojnë nga BNJVL, në takimin e iniciuar me kërkesë të KSHZ-së, është kërkuar përkrahja e duhur teknike dhe logjistike nga komunat në procesin e realizimit të aktiviteteve zgjedhore.

“Komunat janë të obliguara me ligj që të sigurojnë hapësirë për zhvillimin e votimit, por u theksua se në disa vendvotime nevojitet përkrahje edhe në sigurimin e mjeteve të caktuara teknike”.

KSHZ-ja në mbledhjen e mbajtur dje bëri të ditur se tashmë janë përcaktuar të gjitha lokacionet, shumica e të cilave janë të vendosura në objektet e shkollave, sallat e shkollave apo çerdhet. Njëkohësisht u theksua se janë kujdesur që ato të jenë të vendosura në pjesën përdhese të objekteve dhe të kenë qasje edhe për personat me nevoja të veçanta.

“Për mbarëvajtjen e zgjedhjeve nga aspekti teknik dhe për të mundësuar përmbushjen e të drejtës së votës, në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët, u kërkua nga komunat që të kontrollojnë qasjet e tilla dhe, nëse është e mundur, të përmirësojnë cilësinë e tyre. Me rëndësi të veçantë për KSHZ-në është sigurimi i hapësirave përkatëse ku materiali i nevojshëm zgjedhor do të depozitohet një ditë para zgjedhjeve. Për të gjitha këto, ata kërkuan nga komunat që të takohen me përfaqësuesit e KSHZ-së dhe njoftuan se do të dërgojnë informata me kërkesa dhe udhëzime më specifike deri te BNJVL dhe vetëqeverisjet lokale”, thonë nga BNJVL.

Kryetari i BNJVL-së, Gjorgjievski, theksoi se zhvillimi i papenguar i zgjedhjeve të drejta dhe demokratike duhet të jetë imperativ për çdo qytetar dhe se është obligim i përbashkët që ato të zhvillohen në mënyrën më të mirë të mundshme. Ai gjithashtu shprehu mirënjohjen e tij për ftesën e KSHZ-së për bashkëpunim të ndërsjellë për mbarëvajtjen e përgatitjeve për mbajtjen e zgjedhjeve dhe theksoi se BNJVL do të sigurojë që komunat t’i përmbushin kërkesat e KSHZ-së dhe do të informohen me kohë për aktivitetet e nevojshme që duhet të ofrohen nga karakteri hapësinor, teknik dhe organizativ.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme