Erion Veliaj po përpiqet të kalojë si një gjë normale skandalin me dosjen ‘5D’, ndërsa i është rikthyer propagandës dhe show.
E ndërsa drejtorët më të rëndësishëm të Bashkisë së Tiranës ndodhen në qeli për abuzime me fondet publike, ndërsa SPAK vijon hetimet dhe GJKKO kërkon një hetim edhe për rolin e kryebashkiakut në atë që njihet afera ‘5D’, sot Veliaj ka zgjedhur të publikojë pamje nga bulevardi i ri.
“Puna e fundit drejt përfundimit të Bulevardit të Ri! Pas miratimit të fondit nga qeveria e Katarit, drejt përfundimit edhe detajimi i projektit për parkun fundor te Bulevardi i Ri. Shumë shpejt nisim punën për një tjetër xhevahir, që do t’i shërbejë Tiranës së 100 viteve të ardhshme’, shkruan Veliaj.
Dhe nëse skandali i ‘5D’ nuk do ishte denoncuar dhe prokurorët të nisnin hetimet, nuk është çudi që të njëjtën kompani ta gjenim duke fituar tenderat, marrë lejet apo kryer punimet pikërisht në këtë bulevardin e ri, që prej një viti Veliaj e paraqet si projektin e shekullit.
Një ditë më parë ishte po Veliaj që mori në mbrojtje drejtorët e arrestuar dhe të gjithë ata që po hetohen nga SPAK, duke i cilësuar si njerëzit që me punën e tyre kishin ndryshuar Tiranën. E ndërsa në ditët apo javët në vijim Kryebashkiaku mund të përballet me të tjera fakte dhe prova të implikimit të tij apo drejtorëve të tjerë të rëndësishëm që ka në detyrë në skandale, por ndoshta edhe me fletë-thirrje nga SPAK, Veliaj tani për tani duket se ka zgjedhur atë që di të bëjë më mirë: propagandë, show, fasadë, duke u shfaqur me fytyrën e “njeriut të punës”, pavarësisht se duart e bashkëpunëtorëve më të afërt të tij janë gjetur në thesin e parave të qytetarëve.
© SYRI.net