Delegacioni ligjor i Nikaraguas, në ditën e parë të dëgjimit të çështjes së ngritur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) që nga Gjermania të ndërpresë mbështetjen e saj ushtarake ndaj Izraelit, akuzoi qeverinë e Berlinit se vazhdon të furnizojë me armë Izraelin, pavarësisht se e dinte rrezikun e gjenocidit në Gaza, raporton Anadolu.
Në Hagë filluan seancat që do zgjasin për dy ditë për çështjen që Nikaragua ka ngritur kundër Gjermanisë në GJND me arsyetimin se ajo “ka mbështetur gjenocidin e Izraelit në Gaza” duke siguruar mbështetje politike, financiare dhe ushtarake për veprimet e Izraelit në Gaza.
Fjalimi i hapjes së Nikaraguas u mbajt nga ambasadori i saj në Hagë, Carlos Jose Argüello Gomez.
Gjyqtari i përkohshëm i emëruari nga Nikaragua posaçërisht për këtë çështje, ish-kryeministri jordanez dhe ish-gjyqtari dhe zv/presidenti i GJND-së, Awn Shawkat Al-Khasawneh, bëri betimin e detyrës.
Në seancat e mbajtura publike po diskutohen kërkesat e Nikaraguas për të vendosur masa të përkohshme nga gjykata kundër Gjermanisë, me qëllim që të mos ndodhin dëme të pariparueshme deri në procesin e përfundimit të çështjes.
– “Detyrimi për të parandaluar gjenocidin lind kur bëhet e qartë se po kryhet gjenocid”
Ambasadori i Nikaraguas në Hagë, Argüello Gomez, në prezantimin e tij në seancën dëgjimore tha se përveç shkeljes së shumë rregullave të së drejtës ndërkombëtare, në Gaza është kryer gjenocid dhe se kjo është kryer para syve të njerëzve në rrjetet sociale.
Ai akuzoi Izraelin për testimin e produkteve të industrisë së armëve mbi palestinezët, veçanërisht tek ata që jetojnë në Gaza.
Duke deklaruar se Gjermania, e cila e sheh sigurinë e Izraelit si arsyen e saj të ekzistencës, ka detyrimin të respektojë ligjin ndërkombëtar dhe të mos mbështesë gjenocidin, Argüello Gomez akuzoi Gjermaninë se pavarësisht kësaj ka lehtësuar gjenocidin në Gaza duke dërguar armë në Izrael.
Argüello Gomez vlerësoi se në Palestinë janë përjetuar shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare, përfshirë gjenocidin.
“Rasti para nesh përfshin ngjarje të rëndësishme në lidhje me jetën dhe mirëqenien e qindra mijëra njerëzve dhe madje edhe eliminimin e një populli të tërë”, tha ai.
Duke thënë se qeveria dhe populli i Nikaraguas kanë simpati të veçantë për popullin palestinez për shkak të luftës së tyre që kanë treguar kundër ndërhyrjes ushtarake, Argüello Gomez kujtoi se edhe Nikaragua është përballur me ndërhyrje dhe sulme ushtarake.
“Në situatën aktuale, Nikaragua po vepron jo vetëm në emër të saj, por edhe në emër të popullit palestinez që i është nënshtruar një prej veprimeve ushtarake më shkatërruese në historinë moderne”, tha Arguello Gomez.
Ambasadori Argüello Gomez theksoi se Gjermania ka detyrimin të ndalojë së ndihmuari Izraelin në luftën e tij në Gaza, pas vendimit të GJND-së më 26 janar se Izraeli mund të ketë kryer krimin e gjenocidit në Gaza.
“Detyrimi për të parandaluar gjenocidin lind kur bëhet e qartë se po kryhet gjenocid”, deklaroi Arguello Gomez i cili tërhoqi vëmendjen se Gjermania vazhdon të sigurojë ndihmë ushtarake për Izraelin edhe sot e kësaj dite.
– “Vendimi i Gjermanisë për të ndërprerë fondet ndaj UNRWA-së tregon se ajo mbështet Izraelin”
Ambasadori Argüello Gomez vuri në dukje se ndërprerja e financimit nga qeveria gjermane për UNRWA-në, pavarësisht krizës së urisë dhe humanitare në Gaza, tregon se ajo mbështet Izraelin.
“Pezullimi i financimit nga Gjermania për UNRWA-në ishte pa arsye”, theksoi Argüello Gomez, i cili shtoi se, “Gjermania ndërpreu ndihmën për UNRWA-në duke dëgjuar Izraelin dhe injoroi “rrezikun që në Gaza mund të kryhej gjenocid”.
– “Pavarësisht rrezikut të shkeljes së ligjit ndërkombëtar, Gjermania nuk e pezulloi mbështetjen e saj ushtarake”
Edhe dr. Daniel Müller një nga avokatët që përfaqëson Nikaraguan i cili foli në seancë, tha se Gjermania ofron të gjitha llojet e mbështetjes për Izraelin, veçanërisht në furnizimin me armë. “Pavarësisht rrezikut shumë të qartë që ligji humanitar dhe ligji ndërkombëtar janë shkelur rëndë në Gaza, Gjermania nuk e pezulloi mbështetjen e saj ushtarake”, tha ai.
Duke nënvizuar se pavarësisht shqetësimeve humanitare të shprehura nga zyrtarët gjermanë, armët po i dërgohen ende Izraelit, Müller tha: “Nëse duhet të shprehem thjesht, zyrtarët më të lartë gjermanë kanë pranuar se situata në Gaza ngre dyshime në lidhje me respektimin e rregullave themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe se këto dyshime duhet të adresohen”.
“Por, ndërsa ne flasim, me shumë mundësi po vazhdon eksportimi i armëve dhe pajisjet ushtarake gjermane për t’u përdorur në këto shkelje të rënda të ligjit ndërkombëtar. Është e pamundur që Gjermania të mos e dijë se pajisjet ushtarake dhe armët që i ka dhënë Izraelit janë përdorur për të bombarduar fëmijët, gratë dhe burrat palestinezë”, tha ai.
– “Gjermania është përgjegjëse në masën që veprimet e saj kontribuan në ferrin në Gaza”
Edhe Alain Pellet, një nga avokatët që përfaqëson Nikaraguan në seancë, deklaroi se Gjermania ka shkelur jo vetëm Konventën e Gjenocidit, por edhe Konventat e Gjenevës, të cilat përcaktojnë rregullat që duhen ndjekur gjatë luftës.
Pellet tha se edhe Gjermania është përgjegjëse në masën që veprimet e saj kontribuan në “ferrin” në Gaza.
Duke theksuar se të gjitha kërkesat e paraqitura nga Nikaragua janë detyrime ligjore që mund të parashtrohen ndaj kujtdo dhe që i interesojnë të gjitha shteteve, Pellet vuri në dukje se, prandaj në rast të shkeljes së këtyre rregullave, çdo shtet ka të drejtë të ngrejë padi kundër shtetit shkelës.
Pellet nënvizoi se përveç palestinezëve në Gaza, me sulmet dhe shkeljet izraelite përballen edhe palestinezët në Bregun Perëndimor të cilat janë territoret e tjera të pushtuara palestineze.
– “Gjermania ndihmon në kryerjen dhe lehtësimin e gjenocidit”
Në fund të seancës, ambasadori i Nikaraguas në Hagë, Argüello Gomez mori fjalën dhe deklaroi se ata e fajësojnë Gjermaninë në dy mënyra:
“E para është mospërmbushja e përgjegjësisë së Gjermanisë për të parandaluar gjenocidin. E dyta është se ajo ndihmon në kryerjen dhe lehtësimin e gjenocidit. Gjermania jo vetëm që vepron në kundërshtim me përgjegjësinë e saj për të parandaluar gjenocidin, por gjithashtu kontribuon drejtpërdrejt në kryerjen e gjenocidit”.
– Masat që Nikaragua kërkon ndaj Gjermanisë
Pesë masat paraprake që Nikaragua i kërkon GJND-së të vendosë kundër Gjermanisë janë si më poshtë:
– “Gjermania duhet të pezullojë menjëherë ndihmën e saj ushtarake për Izraelin, në veçanti pajisjet ushtarake të cilat mund të përdoren në kundërshtim me Konventën e Gjenocidit, të drejtën ndërkombëtare humanitare ose në shkeljen e normave të tjera detyruese të ligjit të përgjithshëm ndërkombëtare, siç është e drejta e popullit palestinez për të caktuar vetë fatin e tij ai dhe në nënshtrimin e palestinezëve ndaj regjimit të aparteidit;
– Gjermania duhet të bëjë menjëherë çdo përpjekje për të siguruar që armët e dorëzuara ndaj Izraelit të mos përdoren për të kryer gjenocid, të mos kontribuojnë në akte gjenocidi ose të përdoren në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare humanitare;
– Gjermania duhet të bëjë menjëherë gjithçka që është e mundur për të përmbushur përgjegjësitë e saj sipas ligjit humanitar;
– Gjermania si pjesë e përmbushjes së përgjegjësive të saj për të parandaluar gjenocidin, aktet e gjenocidit dhe shkeljet e të drejtave të njeriut të popullit palestinez duhet të anulojë vendimin e saj për të pezulluar fondet për UNRWA-në. Ky vendim përfshin edhe detyrimin për të bërë gjithçka që është e mundur për të siguruar që ndihma humanitare të arrijë tek populli palestinez, kryesisht në Gaza;
– Gjermania duke ndërprerë mbështetjen e saj përfshirë edhe furnizimin e pajisjeve ushtarake ndaj Izraelit të cilat mund të përdoren në shkeljen e krimeve në ligjin ndërkombëtar, duhet të bashkëpunojë duke vazhduar edhe mbështetjen e saj për UNRWA-në mbi të cilën kjo organizatë i bazon aktivitetet e saj”.
Në seancën dëgjimore të GJND-së nesër delegacioni ligjor gjerman do të bëjë mbrojtje kundër akuzave të Nikaraguas.