Gazetare: Ajnur Bafqari
Mesazhe për paqe, shëndet, begati, unitet e mirëkuptim u dërguan sot për festën e Fitër Bajramit.
Dita filloi me faljen e namazit të Bajramit, ku besimtarët vizituan të gjitha xhamitë e vendit. Manifestimi qendror në Maqedoninë e Veriut u mbajt në xhaminë “Mustafa Pasha” në Shkup.
Kreu i Bashkësisë Fetare Islame, mes tjerash kërkoi unitet për krijimin e kushteve për të rinjtë, me qëllim ndalimin e migrimit.
“Kërkohet nga të gjithë ne që të mundohemi maksimalisht me fjalët tona, me porositë tona, mundin tonë, që bashkërisht të formojmë kushte të nivelit stabilk ekonomik me qëllim që njerëzit tonë, populli jonë I kësaj shoqërie, të gjej ardhmërinë në trojet ku ka lindur dhe është rritur”, tha Shaqir Fetahi, Kryetar i BFI-së.
Menjëherë pas faljes së namazit të Bajramit, besimtarët shtrënguan duart mes vete dhe më pas u drejtuan drejt shtëpive të tyre. Në festën e Bajramit, si zakonisht shtrohet dreka e Bajramit dhe më pas besimtarët vizitojnë familjarët e tyre. Ëmbëlsira që asnjëherë nuk mungon për këtë festë është bakllavaja. Fitër Bajrami vjen pas përfundimit 30 ditor të agjërimit në muajin e Ramazanit. Emri i kësaj feste vjen nga ajo se myslimanët para ditës së bajramit shpërndajnë lëmoshë, solidarizohen me të varfërit për ta festuar së bashku këtë festë. / Alsat.mk