Në Zherovnicë të Zveçanit ka ndodhur një shpërthim në orët e hershme të 18 prillit, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Dyshohet se shpërthimi është shkaktuar nga një granatë dore, e cila është hedhur në oborrin e një shtëpie”, tha Elshani.
“Njësitë relevante të policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke u marr me rastin”, tha ai.
Ende nuk dihet motivi i këtij shpërthimi.
Por, në të kaluarën, në komunat në veri të Kosovës – ku gjendet edhe Zveçani – të banuara me shumicë serbe, ka pasur incidente me mjete plasëse dhe zjarrvënie, por edhe dëmtim të pronës.
Më së shpeshti, cak i këtyre incidenteve kanë qenë serbët që kanë regjistruar makinat e tyre me targat e Kosovës, por edhe serbët që punojnë në institucionet e Kosovës./REL