Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha sot se ka pasur përpjekje të vazhdueshme për ta vënë atë në një pozitë ku ai vendos për vendimet e Bankës Qendrore të Kosovës.
Pas mbledhjes së qeverisë, shefi i qeverisë tutje tha se guverantori i BQK-së nuk i raporton atij, por kuvendit të Kosovës, madje shtoi se “nuk mund t’i vendosem sipër guvernatorit”.
Këtë kryeministri e tha kur u pyet në lidhje me çështjen e dinarit.
“Lidhur me çështjen e dinarit, që ne nuk e kemi ndaluar si të tillë, por si mjet pagese dhe kjo është bërë nga Republika e Kosovës, jo nga qeveria e Republikës, sepse është bërë nga Banka Qendrore e Kosovës me rregulloren e re. Ata janë edhe më lart se ne edhe para nesh në ecjen e mëtutjeshme. Sikurse zgjedhjet që u organizuan në veri, ne kishim KQZ-në më lart se ne dhe para nesh, njësoj edhe BQK. Ka pasur përpjekje të vazhdueshme që të më vendosin mua në një pozitë ku unë vendosi edhe për BQK-në, për vendimet e tyre e kështu me radhë. Kjo ndodh në shtetet diktatoriale, ne jemi shtet demokratik. Guverantori i BQK-së është votuar në të njëjtën sallë ku jam votuar edhe unë. Ai nuk më raporton mua, por kuvendit të Kosovës, nuk mund t’i vendosem sipër guvernatorit. Ne duhet ta ruajmë Republikën tonë, ndarjen e pushteteve, që është thelbësore për demokracinë e vetë. Për çështje të cilat ka vendosur BQK dhe planet e zbatimit me faza e afate, përgjigjen ata. Ne jemi për t’i mbështetur ata, jo për t’i udhëhequr”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.