Kombet e Bashkuara (OKB) njoftuan se pengesa e qasjes në ndihmën humanitare për Rripin e Gazës është një çështje “jetë a vdekje” për palestinezët të cilët vuajnë për shkak të bombardimeve të pandërprera dhe pasigurisë ushqimore, transmeton Anadolu.
Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA), në një postim nga platforma e medias sociale X, bëri një deklaratë lidhur me situatën humanitare në Rripin e Gazës.
Teksa ndihmat humanitare janë ndaluar në Gaza pasi Izraeli ka marrë kontrollin e pikës kufitare Rafah në anën palestineze, UNRWA në deklaratën e saj theksoi se pengesa e qasjes në ndihmën humanitare për Rripin e Gazës është një çështje “jetë a vdekje” për palestinezët të cilët aktualisht vuajnë për shkak të bombardimeve të pandërprera dhe pasigurisë ushqimore.
“Kemi nevojë për kalim të menjëhershëm dhe urgjent të ndihmës humanitare”, thuhet në deklaratë.
Ushtria izraelite më 7 maj njoftoi fillimin e sulmit tokësor ndaj rajonit Rafah të Gazës dhe marrjen e kontrollit të pikës kufitare në anën e Gazës e cila ndodhet në kufi me Egjiptin.
Më 10 maj Kabineti izraelit i Sigurisë miratoi vendimin lidhur me “zgjerimin e zonës” së sulmeve tokësore në qytetin Rafah.