Gazetar: Adrian Kerimi
Fronti Evropian që ditëve të fundit po ankohet për inxhinjering zgjedhor duke akuzuar Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve për vendime të padrejta për të shkuar në rivotim, të njëjtën e kishte bërë në vitin 2016 bashkërisht me VMRO-DPMNE-në, shkruan Alsat.
Në dhjetor të vitit 2016 kur u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Lëvizja Besa kishte dorëzuar ankesa për parregullsi zgjedhore në njësinë e 6 dhe njësinë e dytë zgjedhore.
Në vend të Nexhmedin Kahremanit që ishte kandidat për deputet i Lëvizjes Besa, me vendim të KSHZ-së mandati për deputet i shkoi VMRO-DPMNE-së edhe atë për 300 vota.
KSHZ-ja madje kishte konstatuar se falë sistemit të numërimit mandati mund t’i kalojë partisë më të madhe me mandate duke mos shqyrtuar as mundësine e rivotimit.
Një veprim të ngjashëm KSHZ-ja e kishte marr edhe kundër kandidatit për deputet Admirim Aliti. Ai nuk arriti të bëhet deputet për 50 vota, pasi kështu vendosi shumica e anëtarëve të KSHZ-së të cilët një mandat e çuan në subjekt tjetër. Edhe në këtë rast KSHZ-ja kishte vendosur që të mos shkohet në rivotim pasi rezultati nuk do të ndikonte apo ndryshonte asgjë nga ajo për të cilën kishte vendosur organi për organizimin e proceseve zgjedhore.
Aso kohe para KSHZ-së organizoheshin protesta. Ish kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski kishte bërë thirrje që të ruhet vota e VMRO-së, ndërsa në protestuesit kishin lëshuar fishekzjarrë në drejtim të dritareve të KSHZ-së ku po mbahej seanca për shqyrtimin e ankesave. Lëvizja Besa aso kohe përveç BDI-së kishte akuzuar edhe PDSH-në si ndihmëse të internistëve për t’i çuar një mandat VMRO-DPMNE-së së Nikolla Gruevskit.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016 falë vendimit të KSHZ-së pa mundësi rivotimi, VMRO-DPMNE-ja krijoi diferencë në mandate 51 me 49 në raport me LSDM-në, duke i hequr kështu dy mandate Lëvizjes Besa e cila kishte përfunduar me 5 deputetë, BDI me 10, Aleanca për Shqiptarët me 3 dhe PDSH-ja me dy mandate. / Alsat.mk