Shmanget tragjedia në Shkup, digjet vetura zyrtare e drejtorit të burgut të Idrizovës

Gazetar: Lluka Andreev

Një tragjedi e madhe është shmangur herët në mëngjes në lagjen e Shkupit, Kisella Voda. Për arsye të panjohura për momentin është djegur vetura zyrtare e drejtorit të burgut të Idrizovës, Zoran Jovanovski. Automjeti ka qenë i parkuar poshtë një objekti banimi dhe zjarri ka nisur të përhapet edhe në objekt. Zjarrfikësit janë përgjigjur në kohë dhe nuk ka të lënduar. Nga MPB bëjnë me dije se po punohet për zbardhjen e rastit.

“Më datë 15.05.2024 rreth orës në Stacionin Policor Kisella Vodë në Shkup është denoncuar se është djegur një automjet i parkuar pasagjerësh me targa të Shkupit në pronësi të Institucionit Ndëshkues Përmirësues “Idrizovë”, që ka qenë i parkuar nga Z.J. Nga zjarri është përfshirë edhe një pjesë e fasadës së një objekti dhe gjësende në ballkonet e kateve të poshtme të objektit”, njoftojnë nga Ministria e Brendshme.

Banorët e katit të parë të ndërtesës thonë se për fat të mirë janë zgjuar nga shpërthimi.

“U dëgjua edhe një shpërthim dhe flakë e madhe, dhe unë isha duke fjetur, ishte pikërisht poshtë ballkonit, pranë dritareve të mia dhe mund të shihja se çfarë ndodhte jashtë, pranë dritares sime diçka e madhe… kurrë nuk kam parë aq shpejtë të përhapet zjarri”, deklaroi një banor i Kisella Vodës.

“Ka shumë njerëz që kanë fjetur me fëmijë të vegjël dhe nuk kanë dëgjuar dhe tani ankohen pse askush nuk i ka lajmëruar, por edhe kjo ndodh. Këto janë strese të mëdha”, tha një tjetër banor i Kisella Vodës.

Vitin e kaluar disa herë për shkaqe të panjohura janë djegur vetura të punonjësve të burgut “Idrizovë”. Vitin e kaluar ishte djegur edhe automjeti i zëvendësdrejtorit Femi Jonuzi. Herën e fundit, burgu i Idrizovës ka qenë në vëmendjen e opinionit vetëm një muaj më parë, kur Ministria e Punëve të Brendshme ka kryer aksion në të cilin janë arrestuar 17 pjesëtarë të policisë së burgjeve. Prokuroria ka nisur hetimet për pesë persona për veprën penale “mundësimi i arratisjes së personit të privuar nga liria”. Gjatë operacionit në burg u gjetën celularë, drogë dhe gjësende të mprehta. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme