Janë përplasur tre çiklistë në aksin rrugor Kuç-Qeparo dhe mësohet se dy prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Aksidenti ka ndodhur përgjatë itinerarit të garës së etapës së katërt të Turit të 81-të Çiklistik në Shqipëri, kur dyshohet se 3 prej tyre kanë humbur kontrollin.
Etapa e katërt në edicionin e 81-të, përfshin itinerarin Vlorë- Himarë – Llogara.
Edicioni startoi me datë 20 të këtij muaji nga Sheshi ‘Skëndërbej’ në Tiranë, ndërsa etapa e pestë dhe e fundit e cila starton nesër në orën 10:00 nga Vlora për në Fier.
Njoftimi i policisë:
Vlorë/Informacion paraprak
Rreth orës 14:40, në aksin rrugor Kuç-Qeparo, gjatë itinerarit të garës të etapës së katërt të Turit të 81-të Çiklistik të Shqipërisë, 3 prej çiklistëve dyshohen se kanë humbur kontrollin mbi drejtimin e biçikletave dhe si pasojë kanë dalë nga rruga. Të tre çiklistët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit