Posta e Kosovës regjistron humbje nga 3-4 milionë euro në vit. Por që nga viti 2012 e deri në fund të vitit 2015, Posta e ka rritur numrin e të punësuarve për 72 veta. Të dhëna për vitin 2016 nuk ka, mirëpo tash Posta po synon t’i punësojë edhe 23 punëtorë të rinj.
Albani, një i ri shtatgjatë, i është nënshtruar testit me shkrim për punësim në Postën e Kosovës. Kjo e fundit e ka hapur një konkurs në javën e parë të muajin janar duke i hapur 23 vende të lira të punës. Posta po kërkon postierë dhe recepsionistë.
Përkundër që ka marrë mundin për t’iu nënshtruar provimit me shkrim, Albani nuk ka shpresë që do të punësohet në Postë, një nga ndërmarrjet me nivelin më të lartë të pagave në Kosovë.
Konkursi “veç hajt”
“Familjarë nuk kam, por e kam parë konkursin dhe i kam qit dokumentet… Valla jo, s’ka gjasa me u pranu si postier, sepse janë pranuar personat… Unë e di se janë pranuar, por këtë konkurs e kanë qit veç hajt”, tha Albani për Gazetën Jeta në Kosovë duke shtuar se informacionet për punësim të personave tashmë i ka nga personat që i njeh në Postën e Kosovës.
Posta e Kosovës ka nivelin më të lartë të rrogave, ndërkohë që nga themelimi në mesin e vitit 2012 ka punuar me humbje.
Albani nuk është i vetmi që përkundër mosbesimit për një konkurs të rregullt ka marrë mundin t’i nënshtrohet testit më shkrim.
KALLXO.com ka pranuar disa raportime për manipulimet e mundshme në këtë konkurs të hapur nga Posta e Kosovës.
Posta e Kosovës i ka mbajtur të mbyllura procedurat e konkursit të hapur në fillim të muajit janar. Ajo nuk ka lejuar qasje në listën e personave që kanë aplikuar për punësim në Postë. Kjo ndërmarrje ka dhënë arsyetime të ndryshme për refuzimin e kërkesës së KALLXO.com për qasje në dokumente publike.
“Në këtë fazë të rekrutimit nuk mund të ju ofrojmë Listën e aplikantëve, mendojmë që e rrezikon procesin dhe ndonjëri prej aplikantëve sigurisht që dëshiron të jetë konfidencial”, thuhet në përgjigjen e Bashkim Mustafës, përgjegjës për komunikim me media në Postën e Kosovës.
Ndërkohë, KALLXO.com i ka dërguar edhe një shkresë zyrtare për qasje në dokumente publike. Pas kësaj kërkese, Posta e ka dhënë një shpjegim më të gjatë dhe të ndryshëm prej përgjigjes fillestare.
“Duke marrë në konsideratë se dokumentet që ju i keni kërkuar janë të Bordit të Drejtorëve, e procesi i rekrutimit të stafit është në vijueshmëri, për Postën e Kosovës këto dokumente të Bordit konsiderohen të rëndësishme dhe konfidenciale dhe nuk janë për ekspozim te palët e treta jashtë korporatës, pasi që mund ta dëmtojnë rrjedhën e procesit të rekrutimit dhe të krijojnë pabarazi në proces nëse ekspozohen emrat e kandidatëve”, thuhet në përgjigjen e Mustafës dhënë për KALLXO.com.
Kërkesat e KALLXO.com për qasje në listën e aplikantëve kanë ardhur pas pranimit të disa raportimeve në KALLXO.com se konkursi i hapur nga Posta është bërë me qëllim të punësimit të personave të afërt me anëtarët e bordit të Postës, të afërm të nivelit menaxherial dhe të afërm të personave që mbajnë poste publike e që kanë marrëveshje kontraktuale me Posten.
Kallxo.com do të vazhdojë ta monitorojë nga afër procesin e rekrutimit të punëtorëve në Postë për të parë nëse pretendimet e kallxuesve qëndrojnë.
Konkurrenca e madhe për postier
Sipas Drejtorit të Drejtorisë për Shitje, Planifikim dhe Kujdes ndaj Konsumatorëve, Bashkim Mustafa për 23 pozitat e lira në konkursin publik kanë aplikuar 859 persona. Në bazë të shifrës së dhënë nga Posta i bie që 36 persona do të konkurrojnë për një pozitë.
“Tani kemi finalizuar listën dhe numri i aplikantëve për këto pozita është 850 persona”, tha Drejtori Mustafa.
Konkursi i dytë i Postës është hapur me 7 janar 2016, ndërsa afati i fundit për aplikim ishte data 21 janar.
Në Postën e Kosovës thonë se konkursi është hapur në përputhje me planin e biznesit të miratuar nga Bordi i kësaj ndërmarrjeje.
Ai ka thënë se fillimisht kërkesa për punëtorë shtesë ka ardhur nga Rajoni i Ferizajit. “Posta e Kosovës sipas kërkesës nga regjioni i Ferizajt, për shkak të nevojës për numër më të madh të punëtorëve si rrjedhojë e rritjes së shërbimeve, produkteve ka shpallur konkurs për vende pune edhe për këtë regjion”, tha Mustafa.
Posta e kishte hapur konkursin e parë në gusht të vitit 2016.
“Konkursi me nr. 01-2283/16, datë 09.08.2016, për pozitat Postier/e – me orar jo të plotë të punës (4 h) – 3 ekzekutues dhe Punëtor/e sporteli – 2 ekzekutues në Regjionin e Ferizajt është anuluar”, kishte thënë Mustafa në një përgjigje dhënë KALLXO.com vitin e kaluar.
Anulimi i konkursit të parë, sipas zëdhënësit të Postës, është bërë për shkak se Posta ka qenë në proces të ristrukturimit dhe është vonuar vendimi i komisionit për pranim të punëtorëve. Mustafa ka shpjeguar se Ligji i obligon që brenda 30 ditësh që nga dita e mbylljes së konkursit duhet të përmbyllen të gjitha procedurat e konkursit.
Ndërkohë, për rritjen e numrit të punëtorëve në Postën e Kosovës janë të njoftuar edhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik e cila e ka për obligim monitorimin e ndërmarrjeve publike. MZHE-ja e ka arsyetuar pranimin e punëtorëve të rinj në Postë.
“Bazuar në raportet e pranuara nga Posta e Kosovës vërehet se kjo Ndërmarrje Publike në vitin 2015 ka pasur një ulje të shpenzimeve të pagave për punëtorët aktualë 5 %. Arsyeshmëria e punësimeve të reja në Postën e Kosovës ndërlidhet me faktin e pensionimit të punëtorëve, rritjes së volumit të punëve si dhe ofrimit të shërbimeve të reja dhe hapjen e pikave të shitjes, gjithmonë duke iu përshtatur kërkesave të konsumatorëve dhe me qëllim te gjenerimit te hyrave shtesë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, e cila udhëhiqet nga ministri Blerand Stavileci.
Tutje kjo ministri ka treguar se askush nuk mund t’i ndërhyjë në vendimin e kryeshefit të një ndërmarrjeje për punësime shtesë. Fillimisht MZHE-ja e ka hequr përgjegjësinë nga vetja duke thënë se nuk ndërhyjnë në bordin e drejtorëve, si të deleguar të aksionarit në këtë rast qeverisë së Kosovës.
“Në bazë të nenint 7.6 të Ligjit për Ndërmarrje Publike, detyrimin e mbikëqyrjes së themeluar me këtë nen NJPMNP nuk do të ushtrojë në një mënyrë që ndërhyn, ose ka për qëllim të ndërhyjë, me veprimtarinë ose pavarësinë e Bordit të Drejtorëve ose Komisionit të Auditimit të një Ndërmarrje Publike. Është në përgjegjësi të Bordit të Drejtorëve si përfaqësues të Aksionarit për të analizuar nevojën e rritjes së numrit të punëtorëve”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të MZHE-së.
Tutje kjo ministri ka thënë se përfaqësuesi i aksionarit, bordi i Postës, nuk mund t’i ndikojë vendimet e kryeshefit, në këtë rast Sejdi Hoxha.
“Në bazë të nenin 26.8 Bordi i Drejtorëve nuk duhet të ndërhyrë apo të sfidojë vendimet e Kryeshefit Ekzekutiv në lidhje me rekrutimin apo përfundimin e punës së punëtorëve apo në nivelin e pagave të tyre (përveç në lidhje me zyrtarët e lartë të Ndërmarrjes)”, thuhet në përgjigjen e MZHE-së.
Ndërmarrja me humbje që rrit numrin e punëtorëve
Posta e Kosovës ka punuar me humbje që nga vitit 2012 kur është themeluar si ndërmarrje e veçantë pas ndarjes nga Telekomi dhe Vala. Përkundër që ka punuar me humbje, Posta në vazhdimësi e ka rritur numrin e punëtorëve. Në vitin 2012, Posta kishte 926 punëtorë. Deri në fund të vitit të parë si ndërmarrje, Posta kishte punësuar edhe 2 punëtorë me kontrata mbi vepër.
Vitin 2012, Posta e Kosovës e kishte mbyllur me humbje prej 1 milionë e 169 mijë euro. Kishte realizuar të hyra prej 4 milionë e 330 mijë euro, ndërsa 5 milionë e 499 mijë euro ishin shpenzimet.
Por, punësimet u rritën dukshëm në vitin 2013. Gjatë atij viti, sipas raportit vjetor të Postës, ishin punësuar 18 punëtorë. Ndërkohë, në vitin 2013 Posta kishte të hyra prej 10 milionë e 207 mijë euro, ndërsa shpenzimet 14 milionë e 533 mijë euro. Pra, në vitin 2013 kishte një humbje prej 4 milionë e 326 mijë euro.
Në fillim të vitit 2014, bazuar në raportin për vitin 2014, Posta kishte 946 punëtorë. Gjatë vitit 2014, Posta thotë të jenë pensionuar 16 punëtorë, ndërsa 3 të tjerë kanë vdekur. Posta në fund të vitit 2014 ka pasur 988 punëtorë, pra 42 punëtorë më shumë se numri i punëtorëve në vitin paraprak. E nëse i hiqet edhe numri i personave të pensionuar apo që kanë vdekur, del që në vitin 2014 janë punësuar 63 punëtorë.
Por, në raportin e vitit 2013 thuhet se vetëm gjysma e tyre janë punësuar më konkurs publik.
“Rekrutimi i stafit: Më konkurse publik janë punësuar tridhjetë (30) punëtorë”, thuhet në raportin e vitit 2013 të Postës të publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.
Në vitin 2013 kur Posta kishte vazhduar me rritjen e numrit të punëtorëve ajo e kishte rritur humbjen. Të hyrat e Postës, sipas raportit të ndërmarrjeve publike të publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, kishin rënë krahasuar me vitin paraprak, ndërsa shpenzimet ishin rritur. Të hyrat e Postës në vitin 2014 ishin 10 milionë e 45 mijë euro, ndërsa shpenzimet 14 milionë e 491 mijë euro. Pra, Posta kishte një humbje prej 4 milionë e 446 mijë euro.
I njëjti trend i punësimit ka vazhduar edhe në vitin 2015. Posta e Kosovës kishte 988 punëtorë në fund të vitit 2014. Gjatë vitit 2015, Posta thotë të kenë larguar një punëtor nga puna dhe një tjetër të ketë vdekur, si dhe janë pensionuar 11 punëtorë të tjerë. Pra, në bazë të këtyre numrave, në vitin 2015 Posta ka pasur 975 punëtorë që kanë qenë të punësuar para janarit të vitit të njëjtë. Por, në raportin vjetor të vitit 2015 (shih faqe 20), Posta thotë të ketë pasur 1,000 punëtorë. Pra, i ka pasur 12 më shumë se sa numri i të punësuar në fund të vitit 2014. E nëse merren për bazë edhe numri i punëtorëve të pensionuar dhe atë që kanë vdekur, i bie që Posta ka punësuar 25 persona gjatë vitit 2015.
Edhe në vitin 2015, Posta ka punuar me humbje përkundër që kishte një rritje të lehtë të të hyrave. Të hyrat e Postës për vitin 2015, bazuar në raportin e Auditorit, ishin 10 milionë e 678 mijë euro, kurse shpenzimet ishin 13 milionë e 722 mijë euro. Auditori thotë se humbjet për vitin 2015 ishin 3 milionë e 43 mijë euro.
Numri i njëjtë i punëtorëve të Postës nëpër vite është pasqyruar edhe në një raport që Ministria e Zhvillimit Ekonomik ia ka dërguar Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik e të cilin e ka siguruar KALLXO.com. Aty thuhet se numri i të punësuarave në Postë në vitin 2012 ka qenë 928 punëtorë, në vitin 2013 ishin 946 punëtorë, në vitin 2014 ishin 988 punëtorë.
Konkursi i dytë i Postës është hapur disa javë pas një vendimit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për largimin e filialeve të Postës nga institucionet Publike.
Ky vendim i MPB-së erdhi pasi Autoriteti Kosovar i Konkurrencës kishte konstatuar se prania e Postës nëpër institucione publike dëmton konkurrencën, përkatësisht është në kundërshtim me Ligjin e Konkurrencës.
Largimi eventual i Postës nga objektet qeveritare dhe komunale do të linte pa vende pune të paktën 50 punëtorë të kësaj ndërmarrjeje. Vendimi i AKK-së është apeluar nga Posta e Kosovës dhe për zbatueshmërinë e tij do të vendosë Gjykata Kompetente.
Pa shpresa për punësim
Ekipi i KALLXO.com ka qëndruar para Postës së Kosovës më 22 shkurt dhe ka vëzhguar nga afër numrin e madh të aplikantëve që iu kanë nënshtruar testit me shkrim të Postës.
Ramadani që i është nënshtruar testit të Postës së Kosovës nuk ka shpresë që do të punësohet në këtë ndërmarrje që njihet për pagat e larta.
Ai nuk u ndal para kamerës së KALLXO.com, por duke ecur tregoi se ka të kryer fakultet, porse kriteri kryesor në Postë beson që është lidhjet.
“Mundësitë janë të vogla që të punësohem edhe pse i kam dy fakultete të kryer. Po mbasi edhe në vende të tjera po ka mundësi me hy në punë veç me të njohshëm atëherë se besoj”, tha Ramadani.
Kujtim Zabërgja tha se ka ardhur në postë për një intervistë për pozitën e shpallur për postier.
“Kam ardhur për një intervistë, për pozitën e postierit. Dy pozita administrative postier. Kam kryer fakultetin për këtë punë, Telekomunikacionin. Nuk mendoj se të hysh në postë duhet të jesh i lidhur me politikë. Po shpresoj të punësohem”, tha Zabërgja.
E kishte edhe të tjerë konkurrentë që dilnin nga testimi për këtë konkurs e të cilët nuk u përgjigjën para kamerës.
Një kandidat mbrapa kamerës tha se “Paskan marrë tremë prej juve”.
I pyetur se për çfarë e kishte fjalën ai tha se “kanë marrë tremë prej juve gazetarëve”.
Ai tha se punëtorë të Postës i kanë rekomanduar aplikantët që të mos komunikojnë me gazetarët.