Gazetar: Miki Trajkovski
Përkundër potencialit të madh për zhvillimin e burimeve të rinovueshme të energjisë që ka Maqedonia e Veriut, ato ende janë shumë pak të shfrytëzuara. Vendi aktualisht ka vetëm 0.1% shfrytëzim të burimeve të rinovueshme, pavarësisht rritjes së ndërtimit të objekteve të tilla, në dy vitet e fundit.
“Mjafton ta sinkronizojmë energjinë nga burimet e rinovueshme, era, dielli, uji, energjia bio, gjitha këto funksionojnë në një njësi kompakte. Ne kemi importuar 30-40% të energjisë për vite e dekada dhe tani kemi periudhë revolucionare në të cilën mund ta ndryshojmë gjithë këtë në favorin tonë dhe të jemi eksportues të energjisë elektrike”, tha Zoran Mitreski, ekspert energjetik.
Mitreski thotë se për të ndodhur kjo, shteti duhet të thjeshtojë edhe më shumë procedurat për vendosjen e fotovoltaikëve, për konsumatorët e vegjël, përkatësisht personat fizikë dhe t’u mundësojë të instalojnë sa më shumë energji si dhe të përmirësojë rrjetin elektrik. Në këtë rast Maqedonia e Veriut mund të jetë lider në rajon.
“Në Maqedoni 10% e energjisë prodhohet nga hidrocentralet. Pjesa më e madhe është nga termocentralet për momentin, gjë që është shumë e pafavorshme. Ne duhet të kalojmë te burimet e rinovueshme dhe energjinë bërthamore nëse duam zgjidhje afatgjatë”, u shpreh Dejan Trajkovski-profesor në Fakultetin teknik- Manastir.
Nëse sistemi energjetik do të zhvillohet apo do të ngecë, varet më shumë nga funksionarët që udhëheqin vendin, sepse qytetarët individualë nuk mund të bëjnë shumë, vlerësojnë ekspertëve. /Alsat.mk