Gazetar: Miki Trajkovski
Spitalet e vendit kanë pajisje të mira, por pak përdoren. Në mënyrë që gjërat të ndryshojnë, nevojitet riorganizimi urgjent i punës dhe edukimi i stafit, thotë Nikolla Bakraçeski, nga Qendra për Sëmundje Kardiovaskulare në Ohër.
“Do të thosha se ka pajisje të mjaftueshme, por ajo që mungon është organizimi i punës dhe mundësia e përdorimit të asaj pajisje. Një nga arsyet është sigurisht motivimi. Përshtypja është se mjekët ishin më të motivuar për të ndërtuar një karrierë dhe për të adoptuar teknika, procedura, metoda të reja, që të jenë në hap me arritjet botërore”, tha Nikola Bakraçeski-mjek.
Problem shtesë është largimi masiv i mjekëve. Rreth 250 prej tyre largohen çdo vit, si dhe personeli tjetër mjekësor, siç janë infermierët.
“Vitet e fundit kanë ndodhur dy ndryshime pozitive, të cilat mund të kenë mbajtur një pjesë të stafit, dhe kjo është mundësia që mjekët të punojnë privatisht me ndryshimet në legjislacion. Ligji për veprimtarinë shtesë të mjekëve është një nga masat që në të ardhmen, nëse përmirësohen disa elementë në rregulloren shëndetësore, do të mbante një pjesë të mirë të mjekëve”, shtoi Nikola Bakraçeski-mjek.
Për shkak të largimit të mjekëve, reparte të tëra kanë mbetur pa staf. E tillë është pasqyra edhe në Ohër.
“Në të gjitha repartet ka mungesë stafi, ngado që të drejtohemi, qoftë në oftalmologji, radiologji, lëkurë, sy, nuk kemi reumatolog në të gjithë zonën. Nuk kemi ku të drejtohemi. Edhe nëse duam t’i shërbejmë një pacienti ose të vijmë te disa diagnostikime, nuk mundemi për shkak të këtij deficiti. Ju e dini se çfarë po ndodh me repartin e fëmijëve. I gjithë qyteti i Ohrit është i detyruar t’i çojë fëmijët natën në Strugë, të shtunën, të dielën, dhe gjysma e tyre janë në pension atje. Duhet të bëhet një reset në sistemin shëndetësor për të zgjidhur disa probleme”, u shpreh Violeta Mickoska, mjeke.
Mjekët thonë se gjërat mund të ndryshojnë, duke gjetur zgjidhje sistematike, duke përmirësuar statusin e punonjësve të stafit shëndetësor dhe të ardhurat e tyre, që duhet të japë edhe shërbime më të mira shëndetësore për pacientët./Alsat.mk