Një 60 vjeçar është arrestuar në Fier, duke parandaluar kështu një ngjarje të mundshme kriminale brenda në familje.
Sipas uniformave blu, Gëzim Sulejmanaj, 60 vjeç ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj djalit të tij.
Pas marrjes së njoftimit se kryefamiljari ushtronte dhunë, policia ka ndërhyrë menjëherë duke arrestuar 60 vjeçarin.
Ndërkohë nga kontrolli në banesë, u gjetën 1 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri pushkë, 2 armë gjahu, 12 krehra dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Sulejmanaj akuzohet për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Mbajtja pa leje, prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Çështja i ka kaluar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Fier/Reagimi i menjëhershëm i Policisë parandaloi një ngjarje të mundshme kriminale në familje.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Danger”. Gjatë operacionit u vu në pranga një 60-vjeçar që ushtronte dhunë ndaj djalit të tij.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë reaguar menjëherë pas njoftimit të marrë se një 60-vjeçar ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj djalit të tij. Falë reagimit në kohë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Danger”, është parandaluar përshkallëzimi i konfliktit midis këtij shtetasi dhe djalit të tij.
Gjatë kontrollit në banesën e 60-vjeçarit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një arsenal armësh (1 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri pushkë, 2 armë gjahu), 12 krehra dhe municion luftarak.
Në përfundim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. S., 60 vjeç, banues në Fier, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Mbajtja pa leje, prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.