Arratistja e Faton Hajrizit nga burgu, Shërbimi Korrektues pezullon nga puna zyrtarët korrektues, nuk e vërejten në kamera largimin e tij

I burgosuri Faton Hajrizi është arratisur dy ditë më parë nga Burgu i Smrekonicës. Sherbimi Korrektues i Kosovës, ka njoftuar se i dyshuari ishte larguar dhe disa herë të tjera nga burgu, megjithatë së fundi ai kishte përmirësuar sjelljet.

Në njoftimin e Shërbimit Korrektues, po ashtu bëhet e ditur se në lidhje me rastin janë pezulluar përkohësisht zyrtarët korrektues deri në përfundimin e hetimeve, pasi dyshohet se nuk e kanë vërejtur në kohë largimin e të dënuarit përmes monitorimit të kamerave

“Rasti ka ndodhur më 06.07.2024, ora 01:06 pas mesnate. Zyrtarët korrektues janë pezulluar përkohësisht deri në përfundimin e hetimeve, pasi dyshohet se nuk e kanë vërejtur në kohë largimin e të dënuarit përmes monitorimit të kamerave. Lidhur me këtë rast, Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë dhe Shërbimi Korrektues janë duke zhvilluar procedurat hetimore, dhe posa të përfundojë procesi, do të njoftoheni me të gjeturat”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë i Sherbimit Korrektues të Kosovës:

Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin publik se i dënuari F.H ka qenë larguar disa herë në të kaluarën nga institucionet korrektuese. Megjithatë, vitet e fundit ka shfaqur sjellje të mira dhe ka respektuar të gjitha rregullat e rendit shtëpiak.

Gjatë qëndrimit në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ai ka përfunduar shkollimin e mesëm të lartë, ka marrë pjesë në programe rehabilituese dhe aktivitete rekreative. Bazuar në këto sjellje, ai ka kaluar në trajtim të avancuar dhe ka realizuar disa herë të drejtën e pushimit jashtë institucionit korrektues.

I dënuari kishte kërkuar transferim në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë, dhe bazuar në raportet profesionale, ai ka treguar sjellje të mira dhe ishte në proces të avancuar të risocializimit.

Sipas rregullores për trajtimin e të burgosurve, të dënuarit mund të vendosen në një institucion të tipit të hapur nëse plotësojnë kriteret e mëposhtme:

– Janë shfrytëzues të benificioneve;

– Nuk kanë vepra të tjera në pritje për ekzekutim;

– Kanë dënim deri në 10 vite apo mbetje të dënimit deri në 10 vite.

I dënuari F.H deri tani ka mbajtur 17 vjet e 5 muaj të dënimit, ndërsa kishte mbetje të dënimit prej 7 vjet e 6 muaj. Ai ka shfrytëzuar disa herë të drejtën e benificionit të vikendit në shtëpi, hera e fundit e kthimit nga vikendi ishte më 03.07.2024.

Po ashtu, ai kishte parashtruar kërkesën për punësim jashtë institucionit korrektues. Largimi i tij ka ndodhur nga Qendra Korrektuese Smrekonicë, institucion ky i tipit të hapur dhe me elemente të ulëta të sigurisë fizike dhe materiale, ku sjellja e personave të dënuar bazohet në vetëdisiplinën dhe përgjegjësinë personale.

Rasti ka ndodhur më 06.07.2024, ora 01:06 pas mesnate. Zyrtarët korrektues janë pezulluar përkohësisht deri në përfundimin e hetimeve, pasi dyshohet se nuk e kanë vërejtur në kohë largimin e të dënuarit përmes monitorimit të kamerave.

Lidhur me këtë rast, Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë dhe Shërbimi Korrektues janë duke zhvilluar procedurat hetimore, dhe posa të përfundojë procesi, do të njoftoheni me gjetjet.

© SYRI.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme