Një 26 vjeçar vdiq mbrëmë në QKUK pasi nuk mundi t’i bëjë ballë plagëve që mori nga therja me thikë. Lidhur me rastin është arrestuar një person, shtetas i Turqisë, për të cilin nga Prokuroria në Prizren kanë thënë se do të kërkojnë paraburgim.
Policia dje njoftoi se Auron Thaqi, të shtunën është dërguar në spitalin e Prizrenit në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai është gjetur i shtrirë në rrugë, i sulmuar me thikë nga persona të paidentifikuar. Sipas policisë ata e kanë sulmuar, e kanë hedhur nga vetura në rrugë dhe më pas janë larguar në drejtim të panjohur.
“LËNDIM I RËNDË TRUPOR- Lagja Bazhderhane, Prizren 06.07.2024 – 23:50. Viktima mashkull kosovar, është dërguar në spitalin e Prizrenit në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi që i njëjti është gjetur i shtrirë në rrugë i sulmuar me thikë (mjetë të mprehtë) nga persona ende të pa identifikuar të cilët pasi e kanë sulmuar, nga vetura e tyre e kanë hedhur në rrugë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Rasti vazhdon të hetohet.”
Më pas, mbrëmë zëdhënësi i Policisë në Prizren, Shaqir Bytyqi konfirmoi që viktima ka vdekur.
“Sot me datë 07.07.2024 rreth orës 21:00 nga reparti intensiv i QKUK-s policia është njoftuar se viktima A.Th., mashkull, 26 vjeçar ka ndërruar jetë.”
Ndërsa sot në raportin e Policisë u bë e ditur se i dyshuari është shtetas i Turqisë.
“LËNDIM I RËNDË TRUPOR- Prizren / 06.07.2024 – 23:50. Në lidhje me rastin, më 07.07.2024 gjersa ishte në tretman mjekësor në QKUK, ka ndërruar jetë viktima mashkull Kosovar. Lidhur me rastin është arrestuar një i dyshuar mashkull shtetas i Turqisë. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për autopsi, kurse i dyshuari është dërguar në mbajtje.”
Për rastin është deklaruar edhe Prokuroria Themelore në Prizren. Zëdhënësja Fitore Mehmeti, në një përgjigje për Gazetën Express, tha se i dyshuari, E.A., është në ndalim 48 orësh për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.
Ajo tha se brenda afatit ligjor do të parashtrohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.
Lidhur me motivin e ngjarjes dhe nëse ka të dyshuar tjerë, Mehmeti tha se nuk mund të japë detaje në këtë fazë për shkak të ndjeshmërisë së rastit.
“Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari me inicialet E.A. (shtetas turk), i cili me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim 48 orësh. I njëjti, dyshohet se ka kryer veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor” nga neni 186, paragrafi 5 lidhur me paragrafin 3 dhe paragrafin 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Për të dyshuarin E.A., prokuroria brenda afatit ligjor, do të parashtroj kërkesë për caktim të masës së paraburgimit. Rasti është duke u hetuar nga prokuroria në bashkëpunim me policinë. Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, në këtë fazë nuk mund t’ju japim detaje tjera”, tha Mehmeti për Express. /GazetaExpress/