Gazetar: Adnan Qaili
Nuk do të prishet marrëveshja me “Bechtel Enka” për ndërtimin e Korridoreve 8 dhe 10D, tha Ministri i transportit dhe lidhjeve Aleksandar Nikolloski. Ai tha se pushteti i ri do të “luftojë” me konzorciumin amerikano-turk që të përfitojnë sa më shumë kilometra autostradë në ato para që është bërë ujdia nga qeveria e kaluar. Sipas tij, patjetër duhet të angazhohen edhe kompani vendore të Maqedonisë për të punësuar më shumë punëtorë tanë dhe për të mbajtur mjetet buxhetore të planifikuara për infrastrukturën në vend.
“Qeveria e kaluar e LSDM-BDI i ka paguar 240 milion euro kontraktorit pa bërë asgjë, bie fjala për punën përgatitore por janë gjëra që nuk i shohim. Mendoj se do të ishte raport jo miqësor ndaj buxhetit të shtetit, apo dashakeqe, që unë tani ta ndërpres marrëveshjen dhe ato para nuk mund ti kthejmë nga konzorciumi, i cili mund të na padis në arbitrazhe dhe të paguajmë edhe aq dhe ti humbi gjysmë miliardi euro dhe mos të kemi asnjë kilometër autostradë. Ne duhet të ballafaqohemi me ata dhe të përfitojmë sa më shumë autostradë në ato para”, tha Aleksandar Nikolloski, Ministër i transportit dhe lidhjeve.
Ndonëse për këto dy projekte ende nuk kanë filluar zbatimet në teren, punimet janë në fazë përgatitore. Por, ka edhe më keq! Autostrada tjetër e nisur një dekadë më herët, aksi Kërçovë-Ohër në kohën kur në pushtet ishte po VMRO DPMNE-ja në krye me Nikolla Gruevski, nuk po i shihet fundi. Pasardhësit partiak të ish-kryeministrit në arrati tani zotohen se ajo autostradë do të kryhet deri në fund të vitit 2026. Për këtë të fundit pati kritika edhe nga Fakulteti i ndërtimtarisë për projektim të nxituar dhe të gabuar.
“I revoltuar nga ajo që po ndodh me autostradën Kërçovë-Ohër them se projektimi i këtyre mega strukturave lineare meritonte vëmendje më të madhe, kohë më të gjatë të projektimit sepse nuk niset faza e ndërtimit pa qenë të përgatitur mirë… Ky projekt ka një histori të gjatë, është punuar në një kohë tjetër, zuri fill në mileniumin e kaluar, në vitin 1999, me kuptime dhe zgjidhje të tjera të problemeve teknike. Nëse do të ishte projektuar sot, do të ishin gjetur zgjidhje të tjera”, u shpreh Goran Markovski, Dekan i Fakultetit të ndërtimtarisë.
Ministri Nikolloski përsëriti zotimin se opinioni më në fund do ta shohë Marrëveshjen me “Bechtel Enka” dhe prandaj do të insistojë që prej saj të hiqet velloja e “sekretit shtetëror”. Projekti i ndërtimit për segmentet e Korridoreve 8 dhe 10D përfshin 7 kryqëzime, 34 ura, 34 mbikalime dhe 24 nënkalime. /Alsat.mk