Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka folur për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, raportet me aleatët ndërkombëtarë konkretisht ShBA-të, dhe zhvillimeve tjera politike në vend.
Lidhur me Asociacionin, Osmani tha se vendi i saj kërkon garanci nga partnerët ndërkombëtare për zbatimin e detyrimeve që dalin nga marrëveshja e Ohrit.
Osmani shtoi se Kosova nuk po kërkon t’i largohet detyrimeve të saj, por që të ketë sikurse tha “zbatim paralel të marrëveshjes së arritur në Bruksel, e njohur si Marrëveshja bazike dhe Aneksi i Ohrit, ku ka detyrime për Kosovën, por dhe detyrime të qarta për Serbinë, të cilat në tërësinë e tyre nënkuptojnë njohje de fakto të Republikës së Kosovës”.
Lidhur me raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ftesave zyrtare që në të shumtën e rasteve i dërgohen asaj dhe jo kryeministrit Albin Kurti, presidentja Osmani u shpreh në Kushtetutën e Republikës së Kosovës institucioni i presidentit udhëheq politikën e jashtme.
“Pra është gjëja më normale që ftesat për në Uashington, për në Nju Jork, për në samitin e ‘Europian Political Community’, ku unë do të udhëtoj pas pak ditësh, në samitin EU Ëestern Balkans, në samitin e Paqes për Ukrainën, ku isha, të jenë për presidenten sepse ky është zbatim i kushtetutës së Republikës së Kosovës. Dhe kështu ka qenë gjithnjë edhe me presidentët paraardhës, të cilët e kanë përfaqësuar Republikën e Kosovës në aspektin ndërkombëtar”, ka deklaruar Osmani për Zërin e Amerikës.
Presidentja shtoi se në asnjë mënyrë Kosova nuk po injorohet.
“Në fakt nuk ka asnjë shtet të rajonit që është më prezent sesa Kosova, qoftë në Uashington qoftë në samite të tjera dhe kudo që na jepet mundësia jemi shteti më aktiv me punët tona, natyrisht me raportet tona, me shtetet veç e veç”, tha ajo.
Osmani shtoi se ka pasur dallime në qasje, por jo në qëllim, mes zyrtarëve amerikanë dhe Qeverisë së Kosovës.
“Tani unë nuk dua të sillem këtu kinse se po i injoroj problemet. Natyrisht ka pasur dallime natyrisht në qasje, jo në qëllim, por në qasje në raste të caktuara, mes zyrtarëve amerikanë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës. Megjithatë si presidente e Republikës vazhdimisht bëj thirrje për shkak të interesit të Kosovës, dhe për këtë shkak duhet të shohim shumë më afatgjatë, dhe jo vetëm për ndonjë fitore të momentit që tema që kanë bëjnë me sigurinë në Kosovë dhe në rajon, meqenëse të gjitha varen edhe nga partnerët tanë të sigurisë, dhe për shkak të kontributit të tyre dhe për shkak se janë pjesë e këtyre aleancave të vlerave, ne duhet t’i dakordojmë, t’i koordinojmë, t’i flasim paraprakisht me partnerët tanë. Sepse besimi i ndërsjellë është elementi më i rëndësishëm, në çdo raport edhe në politikën e brendshme, por edhe ndërkombëtarisht”, ka theksuar Osmani.
Ajo shtoi se është e bindur që veprimet që bëhen si befasi, në raport ndaj partnerëve, pavarësisht qëllimit legjitim dhe përputhjes me Kushtetutën, në aspektin afatgjatë nuk mund t’i ndihmojnë Kosovës, përkundrazi vetëm në qoftë se ato koordinohen me partnerët sidomos me aleatët tanë në SHBA.
Ndryshe kryeministri Albin Kurti, gjatë një vizite në Klinikën e Urologjisë është pyetur sesi qëndrojnë raportet e tij me ShBA-të.
Kryeministri refuzoi të përgjigjet duke thënë se kjo nuk ka lidhje me Klinikën e Urologjisë.
“Këtu jemi në Klinikën e Urologjisë e kam përshtypje që kjo s’ka lidhje me Klinikën e Urologjisë, pas këtu do të shkoj në Malishevë ku do të vizitoj një fermer të suksesshëm kam përshtypjen se nuk ka lidhje as me të. Pasdite do ta kemi një mbledhje të Qeverisë mbase atje do të jetë vendi për pyetje të tilla”, tha Kurti.