Gazetar: Adrian Kerimi
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka hapur lëndë mbi procedurën e emërimit të zëvendësdrejtores në Agjencinë e Zbulimit. Ivana Stojanovska më 28 qershor u emërua zëvendësdrejtore e Inteligjencës me vendim të presidentes Gordana Siljanovska Davkova. Anti-korrupsioni nuk tregon nga kush vjen denoncimi për këtë apo i referohen veprimit në bazë të detyrës zyrtare, por ajo që u tha ditë më parë nga kryetarja e këtij organi ishte se procedura i referohet mos plotësimit të kushteve për emërimin e Stojanovskas si njeriu i dytë i shërbimit sekret nën kompetenca të presidentit.
Stojanovska është punësuar në Agjencinë e Zbulimit më 17 tetor të vitit 2016, fillimisht si udhëheqëse departamenti e më pas udhëheqëse e sektorit. Aktualisht në inteligjencë ka 7 vite e 9 muaj stazh. Ligji thotë ndryshe. Neni 9 i Ligjit mbi Agjencinë e Zbulimit, paragrafi që i referohet kushteve për emërimin e zëvendësdrejtorit thotë: “më së paku 10 vite përvojë punë nga sfera e sigurisë, mbrojtjes ose politikës së jashtme, nga të cilat 5 vite në pozitë udhëheqëse në Agjenci”.
Me stazhin brenda inteligjencës, Stojanovska nuk plotëson kushtet, por nga kabineti i presidentes Siljanovska këmbëngulin se duke iu referuar punës së saj IT, titullit të doktoratës dhe përvojës së punës nga sfera e sigurisë kibernetike përfshi edhe angazhimin në Fakultetin për Siguri dhe Detektiv, pretendojnë se Stojanovska plotëson kushtet për zëvendësdrejtore në Inteligjencë. Raporti i vet evoluimit në Universitetin FON përfshinë emrin e Stojanovskas si bashkëpunëtore dhe kuadër shkencor i Fakultetit të Sigurisë. /Alsat.mk