Kreu i SPAK, Altin Dumani, iu është përgjigjur akuzave të deputetit të PD-së, Tritan Shehu se po e kthejnë Sali Berishën në të burgosur politik.
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme u shpreh se nuk ka asnjë lloj lidhje me politikën, duke shtuar se të gjithë karrierën e tij e ka ndërtuar jashtë saj.
Altin Dumani theksoi “patjetër që edhe mund të gabojmë, por jo qëllimisht, asnjëherë”.
“Qëndrimet tuaja për mua janë antiligjore, antidemokratike, ndaj zotit Berisha. Dhe pyetja është konkrete mbi ç’bazë vazhdon të mbahet i izoluar? A mendoni se cenoni edhe pavarësinë e Kuvendit duke e mbajtur Berishën jashtë Parlamentit? Me urdhër të kujt zoti Prokuror, sepse kur një prokuror shkel ligjet ligjet, mendimi i parë që të vjen është se me urdhër të kujt bëhet? Nuk bëhet me urdhër të ligjit, por dikujt tjetër? Të kryeministrit, të dikujt tjetër? Kush fshihet pas kësaj loje. Berisha mbahet pa dënim pa akuzë, duke cenuar të drejtat e tij”, ishin disa nga pyetjet që iu drejtuan nga deputeti Tritan Shehu.
“Ju pretendoni se nuk ka kushte për caktim mase sigurime, nuk mund të them gjë tjetër referojuni vendimit të gjykatës. Ju thoni se nuk ka akuzë por edhe vetë vendimi i gjykatës i caktimit të masës së sigurimit e ka bërë të qartë veprën penale që i atribuohet në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetimet.
Tjetra, lëshuat akuza të rënda në drejtim të institucionit që unë drejtoj por edhe në drejtimin tim. Nuk jam pjesë e politikës, nuk kam asnjë lloj lidhje me politikën, gjithë karrierën time e kam ndërtuar të tillë jashtë politikës dhe besoj se ka qenë një karrierë normale, duke kaluar të gjitha hallkat e sistemit, duke angazhuar në funksione e detyra të vështira, por kudo që më ka rënë rasti të punoj jam përpjekur të bëj më të mirën time, Patjetër që edhe mund të gabojmë, por jo qëllimisht, asnjëherë.
Por që të jem unë i lidhur me politikën as që bëhet fjalë, jam thjesht një prokurori i Repuvlikës së Shqipërisë që për momentin jam atashuar pranë SPAK dhe që përpiqem të mbush detyrimet e mia ligjore e kushtetuese çdo ditë të punës time”, tha kreu i SPAK.