Gazetar: Adrian Kerimi
Drejtori i Zbatimit të Sanksioneve, Aleksandar Pandov ka dorëzuar në Prokurorinë e krimit të organizuar dhe korrupsionit padi penale për parregullsitë dhe shkeljet ligjore në burgun e Shkupit apo i njohur si burgu hetues i Shutkës.
Padia është dorëzuar në departamentin për ndjekjen e veprave penale që kryen nga policë dhe policia e burgjeve. Organi i ndjekjes penale për krim të organizuar nuk jep më shumë detaje për padinë, por jo zyrtarisht ajo i referohet ish drejtorit Filip Andov-Sokoli dhe disa gardianëve.
Ndërkohë Pandov hedh poshtë akuzat se në mënyrë të favorizuar u ka mundësuar të burgosurve për 27 prillin ndërprerje të përkohshme të masës së dënimit. Sipas tij gjithçka është e bazuar në vendimet dhe udhëzimet mjekësore dhe çdo kush që posedon vërtetime të tilla do ta gëzon një të drejtë të tillë.
“Është qëndrimi im njerëzor se njerëzve të tillë, kushdo që të kërkon por kjo nuk nënkupton se mund të provon gjithsecili, por them se ato vendosen nga njerëz profesionist në drejtori. Por ju siguroj që aspak nuk më shkon ndër mend të bëj diçka në kundërshtim me ligjin”, tha Aleksandar Pandov, Drejtor i Zbatimit të Sanksioneve.
Duke folur për kushtet nëpër burgje dhe mos ofrimin e ndihmës së duhur mjekësore bashkërisht me numrin e të dënuarve që vuajnë ndër vite nga sëmundje të rënda kronike por që nuk i mundësohet ndërprerja e dënimit, Pandov thotë se raste të tilla nuk ka. Sipas tij, Ministrisë së Shëndetësisë do t’i kërkohet të angazhon mjek shtesë nëpër burgje.
“Planifikoj që gjatë javës ta thërras ministrin Arben Taravari dhe të punësojmë më shumë mjek nëpër mjek. Nuk janë gjithkund kushtet keq, por ka burgje që diku janë katastrofike. Por ju them se njëri ndër problemet për këtë situatë është se mjekët nuk duan të punojnë në burgje”, u shpreh Aleksandar Pandov, Drejtor i Zbatimit të Sanksioneve.
Nga vitit 2020 përkatësisht nga fillimi i pandemisë deri tani janë regjistruar 5 vdekje në burgjet e vendit. Ankesa më e madhe e familjarëve gjithnjë ka qenë kushtet mizore të shërbimit mjekësor nëpër shtëpitë korrektuese-ndëshkuese. / Alsat.mk