Kryeministri Mickoski e ambasadorja amerikane Ageler folën për reformat në gjyqësor dhe si duhet të realizohen të njëjtat

Kryeministri Mickoski e ambasadorja amerikane Ageler gjatë qëndrimit të tyre në kazermën e Shtipit për të parë mjetet e reja luftarake folën për reformat në gjyqësor dhe si duhet të realizohen të njëjtat. Mickoski tha se është i gatshëm që të dëgjojë edhe propozime të tjera, veç asaj të Qeverisë për shpërndarjen e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publik.

“Unë jam për atë që reformat në drejtësi të bëhen menjëherë dhe që drejtësia të gjykojë dhe të japë drejtësi menjëherë. Nuk mund të kesh një vlerësim 2 për qind, nëse unë do të kisha një vlerësim 2 për qind, do të largohesha. Në vend që të largohen dhe të mbajnë përgjegjësi, ata po luftojnë furishëm për karriget. Unë jam gati të flas me këdo për çfarëdo reforme ofrojnë. Kemi komunikim të shkëlqyer me ambasadorin Gir edhe për këtë temë. Unë jam absolutisht i mendimit se diçka duhet bërë. Këtë model që e kemi propozuar e dimë. Jemi të gatshëm të bisedojmë, të dëgjojmë edhe model tjetër,” deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Ambasadorja amerikane Angela Ageler tha se nevojiten reforma, por theksoi se duhet pasur kujdes se çfarë hapash ndërmerren.

“Çdo reformë, përfshirë Këshillin Gjyqësor, apo gjyqësorin në përgjithësi, duhet ndërmarrë me kujdes. Ekziston një udhërrëfyes nga BE-ja për këtë çështje dhe ne jemi këtu për të ndihmuar me procesin. Përfundimi është, a janë të nevojshme reformat në gjyqësor – po, janë absolutisht të nevojshme,” tha Angela Ageler, Ambasadore e SHBA-së.

Lidhur me kërkesën e prokurorisë për ndihmë juridike ndërkombëtare nga SHBA-të në rastin Soravia ku është përfshirë Drin Ahmeti, nipi i liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, Ageler tha se nuk ka detaje por se zyra juridike në Ambasadë merret me këto gjëra.

“… Askush nuk është mbi ligjin dhe të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre,” tha Angela Ageler, Ambasadore e SHBA-së.

Ageler foli edhe për zgjerimin e mundshëm të “listës së zezë” të SHBA-ve me persona të rinj, duke theksuar se është një proces i vazhdueshëm, por që nuk mund të thotë konkretisht se kur do të ndodhë. Vitin e kaluar disa persona u futën në listën e zezë amerikane, ish zv.kryeministri Koço Angjushev, kryetari i Strugës Ramiz Merko e biznesmenët Orce Kamçev dhe Sergej Samsonenko. Të gjithë ata përfunduan në këtë listë për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion. /alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme