Gazetare: Ajnur Bafqari
Autoritetet kanë aktivizuar mekanizmin e BE-së për mbrojtjen civile, pasi dita e djeshme shënoi numër historik të zjarreve në ambient të hapur. Nga 66 zjarre, më shumë se 40 u arritën të shuheshin. Në luftën për shuarjen e zjarreve sot përfshihen edhe 1 helikopter serb, 1 çek dhe dy airtraktorë gjermanë. Ndihmë edhe nga Hungaria e vende të tjera. Mickoski tha se është i shqetësuar nga informacionet se një pjesë e madhe e zjarreve janë ndezur qëllimisht, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të jenë më të kujdesshëm.
“Ajo që më shqetëson janë indiciet që marr si informacione nga Ministria e Punëve të Brendshme se ekziston dyshim i bazuar se arsyeja e këtyre zjarreve në masë të madhe është pakujdesia, por se edhe në masë të madhe ato shkaktohen me qëllim. Ne do të luftojmë. Përsëri e aktivizojmë mekanizmin e BE-së, për kërkim të ndihmës në një gjendje të tillë krize”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Përveç mekanizmit të BE-së, komiteti drejtues do të kërkojë edhe kyçjen e mekanizmit të NATO-s për ndihmë, edhe pse siç tha drejtori i Qendrës për Menaxhim me Krizat, për momentin nuk ka nevojë. Aktualisht në vend ka 12 vatra aktive. Angellov tha se situata në nivel të shtetit është e vështirë por nuk është alarmante.
“Bëj thirrje të mos krijohet panik i panevojshëm. Sot kishim seancën e komitetit drejtues, ku mes të tjerash morëm vendim që t’i propozojmë Qeverisë që të angazhohet për të ashtuquajturin mekanizmi i NATO-s për ndihmë, që në thelb ofron të njejtat gjëra si mekanizmi i BE-së, por përmes tij mund të kërkojmë ndihmë me zjarrëfikës me përvojë”, tha Stojançe Angellov, Drejtor i QMK.
Sipas Angellovit, zjarret që në këtë moment janë më serioze dhe paraqesin rrezik janë ai në rajonin e Pehçevës, në Staro Nagorishan, në Kratovë. Më tej zjarre aktive ka edhe në Makedonski Brod, Sveti Nikollë, dhe në rajonin e komunës së Kumanovës. /Alsat.mk