Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar, bazuar në materialin e referuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, më datë 10.04.2023 ka regjistruar procedimin penal Nr. 60 të vitit 2023, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, mbetur në tentativë kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 278/a-22 dhe 28/4 të Kodit Penal, si dhe “Grup i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga neni 333/a i Kodit Penal, në ngarkim të drejtuesit të mjetit, shtetasit J.K.
Nga aktet e administruara për interesa të këtij procedimi penal ka rezultuar se, më datë 10.04.2023, gjatë procesit të skanimit të mjetit tip fugon me targa angleze KS 15 MZN (që drejtohej nga shtetasi J.K.) janë konstatuar anomali, ndaj është konkluduar me kontrollin fizik të tij pranë pikës së kontrollit në prani dhe të drejtuesit të mjetit. Nga kontrolli fizik i fugonit rezultoi se, në brendësi të një tavoline punim druri u gjetën të fshehura dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasia prej 8 armësh zjarri të llojit pistoletë, 4 krehëra pistolete dhe 201 copë fishekë kalibër 9 mm.
Bazuar në sasinë e konsiderueshme të armëve të zjarrit dhe municionit luftarak të sekuestruar, me destinacion final Mbretërinë e Bashkuar, referuar mënyrës se si kanë vepruar organizatorët e këtij trafikimi për sigurimin e tyre dhe fshirjen e numrave të serisë në 6 (gjashtë) prej armëve të zjarrit me qëllim mos identifikimin e tyre, është vlerësuar se këto armë zjarri nuk do përdoreshin për vetëmbrojtje. Kryerja nga organizatorët e këtij trafiku e veprimeve të fshehjes së sendeve të sekuestruara në brendësi të objekteve punim prej druri, për të mos u kapur nga kontroll i mundshëm i strukturave të policisë dhe doganës, përdorimi i gjeneraliteteve të rreme, si të dorëzuesve të porosive tek kompania e transportit, ashtu dhe të pritësve të tyre në Mbretërinë e Bashkuar, dhe ndërmarrja e veprimeve për dorëzimin e sigurt në destinacion, krijuan dyshimin e arsyeshëm se ndodhemi para kryerjes së veprës penale në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal.
Pas regjistrimit të procedimit penal janë kryer një sërë veprimesh hetimore, me qëllim mbledhjen e provave dhe identifikimin e autorëve të tjerë që kanë marrë pjesë në këtë aktivitet të paligjshëm kriminal. Më datë 15.06.2023 është bërë e mundur që të ndalohej shtetasi F.Gj, i cili ka patur rolin e ndihmësit në këtë aktivitet të paligjshëm kriminal, pra atë të transportuesit, i cili është marrë në cilësinë e të pandehurit F.Gj, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, mbetur në tentativë dhe kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 278/a/1-22 dhe 28/4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, dhe “Grup i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal. Më datë 26.07.2024, janë përfunduar hetimet për procedimin penal me Nr. 60/2023, ndaj të pandehurit F. Gj., për akuzat e mësipërme dhe dosja (me përfundimin e afatit 10 ditor) do i dërgohet për shqyrtim gjyqtarit të seancës paraprake me kërkesën për gjykim ndaj tij.
Sa i përket drejtuesit të mjetit tip fugon me targa angleze KS 15 MZN, të hetuarit J. K., nuk është bërë e mundur që të mblidhen prova me anën e të cilave të vërtetohet fakti se ishte i implikuar që të kishte marrë pjesë, apo të kishte dijeni për episodin e datës 10.04.2023 e për rrjedhojë u vlerësua se ndodhemi përpara dispozitave të parashikuara në nenet 329/a, dhe 328/1 gërma “dh” të Kodit të Procedurës Penale, sipas së cilave për këto fakte penale, paralelisht me kërkesën për gjykim do i drejtohemi gjyqtarit të seancës paraprake me kërkesën për pushimin e hetimeve ndaj tij.
Gjithashtu, më datë 25.07.2024, është proceduar me ndarjen e akteve të procedimit penal Nr. 60 të vitit 2023, me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të të pandehurit F. Gj., numërtimin e tyre si procedimi penal me Nr. 60/1 i vitit 2024, dhe vijimin e hetimeve.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera për interesa të procedimit penal me Nr. 60/1 të vitit 2024, është bërë e mundur të identifikohen personat e tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm kriminal, që janë marrë me organizimin, drejtimin dhe financimin e këtij grupi të strukturuar kriminal, i cili merrej me sigurimin e armëve të zjarrit dhe municionit luftarak, me qëllim trafikimin e tyre për në Mbretërinë e Bashkuar tek porositësit e këtyre armëve.
Roli i organizatorëve të këtij trafiku ka konsistuar në sigurimin e armëve të zjarrit (disa nga të cilët me numrat e identifikimit të fshirë), gjetjen e ambientit të përshtatshëm dhe specialistëve të fushës së mobilierisë në periferi të Tiranës të cilët do mundësonin fshehjen e tyre në brendësi të produkteve të drurit (kryesisht tavolina), sigurimin e personave që do bënin zhvendosjen e “porosive” për tek kompania e transportit Shqipëri-Mbretëri e Bashkuar-Shqipëri e cila ndodhej po në qytetin e Tiranës, vënia në dispozicion e mjetit të transportit dhe mjeteve të komunikimit, si dhe shpërblimet respektive për çdo transport që kryej. Personat e përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm kanë dhënë gjeneralitetet të rreme të dorëzuesve të produkteve, dhe të pritësit të tyre në Mbretëri e Bashkuar.
Për interesa të këtij procedimi penal, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, caktimin e masës të sigurimit personal dhe Gjykata me vendimin e saj Nr. 91 Akti, datë 30.07.2024, ka vendosur pranimin e kërkesës, caktimin e masës të sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për 6 (gjashtë) persona si të dyshuar për kryerjen e elementëve të veprave penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, mbetur në tentativë dhe kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 278/a/1-22 dhe 28/4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, dhe “Grup i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga neni 333/a i Kodit Penal.
Nga ana e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, më datë 01.08.2024, është bërë e mundur që të ekzekutohen masa e sigurimi personal për 3 (tre) personat nën hetim që jetonin dhe banonin në Shqipëri, më konkretisht për shtetasit: A.H., R.A., dhe B.T., si dhe po bashkëpunohet me autoritetet e huaja për ekzekutimin e masave të sigurimit personal për 3(tre) personat e tjerë nën hetim që janë shpallur në kërkim, pasi jetojnë dhe banojnë jashtë Shqipërisë.
Falë hetimeve intensive dhe të gjithanshme të këtij procedimi penal është bërë e mundur që këtij grupi të strukturuar kriminal ti sekuestroheshin armë dhe sende të tjera provë materiale si më poshtë:
– Si rezultat i kontrolleve të ushtruara në Shqipëri, më datat 10.04.2023 në P.K.K Port Durrës, dhe 16.06.2023 në Tiranë, janë sekuestruar sendet e mëposhtme:
– 6 (gjashtë) armë zjarri të llojit pistoletë, marka “GLOCK”, me numra të fshirë me mbishkrim “Glock Austria 9 x 19”.
– 1 (një) armë zjarri të llojit pistoletë, marka “HERSTAL”, me numër 1534 P.
– 1 (një) armë zjarri të llojit pistoletë, marka “BROWNING”, me numër 2205.
– 4 (katër) krehra pistolete ngjyrë e zezë
– 201 (dyqind e një) copë fishekë kalibër 9 mm.
– 1 650 (njëmijë e gjashtë qind e pesëdhjetë) euro
– 31 700 (tridhjetë e një mijë e shtatëqind) lekë
– 8 (tetë) aparate telefonash celularë
– 1 (një) aparat DVR, e markës “HILOOCK”,
– dokumente të ndryshme
– 1 (një) automjet i markës Mercedes Benz Sprinter
– Gjithashtu, në zbatim të vendimeve të Gjykatës, në datën 01.08.2024 është ushtruar kontroll në disa banesa, biznese, automjete apo dhe kontroll personal të personave ku janë gjetur dhe sekuestruar sendet e mëposhtme:
– 24 armë zjarri pistoletë
– 1 automatik kallashnikov
– pjesë të ndryshme të armëve të zjarrit (gjilpëra, susta, shul, qyt etj.,)
– 49 krehëra (karikator) të llojeve të ndryshme,
– 2 thika
– 409 fishekë të kalibrit të ndryshëm,
– 1 palë pranga
– 10 pajisje speciale optike dhe lazeri
– 4 automjete
– 1 motor
– 1 palë veshje ushtarake
– 1 helmetë e forcave speciale
– 4 aparate celularë
– 2 laptop
– 1 njësi qendrore
– 290 euro
– 13,000 lekë
– kartë Sim Vala (kosovare)
Hetimet vazhdojnë me administrimin e provave sa i përket implikimit të personave të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme kriminale.
Këto hetime janë realizuar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet britanike të drejtësisë, strukturat e hetimit të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, si dhe Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit ndaj një falënderim i veçantë shkon për të gjithë institucionet që bashkëpunuan me SPAK në këtë hetim.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
LEXO EDHE: