Mbetet enigmë arsyeja e fikjes së frigoriferëve me reagensë në Institutin e Shëndetit Publik

Gazetar: Suad Bajrami

Instituti i Shëndetit Publik e ka dorëzuar në Prokurori raportin fillestar për rastin e uljes së siguresës elektrike në repartin e Bakterologjisë ku janë ruajtur reagensët e sëmundjeve të ndryshime, përfshirë edhe për kollën e mirë.
Nga Prokuroria për Alsat njoftojnë se gjatë kësaj jave kanë dëgjuar dëshmitarë dhe po punojnë në zbardhjen e arsyeve të fikjes së frigoriferëve.

“Prokurorët nga Prokuroria Themelore Publike dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit bashkë me hetuesit nga qendrat hetuese të prokurorisë kanë kryer kontroll dhe biseda me më shumë persona. Është dorëzuar procesverbali fillestar nga Instituti i Shëndetit Publik për gjendjen e konstatuar. Arsyet për ndërprerjen e energjisë elektrike vazhdojnë të shqyrtohen nga ekspertët”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike.

Prokuroria, hetimin po e zhvillon mbi dy pista, për “diversion” dhe “sabotim”, për të cilat parashikohet dënim me burg prej 3 deri në 4 vjet për secilën vepër.

Sipas policisë, frigoriferët janë fikur nga të punësuarit prej orës 14:30 deri në orën 16.
Kutia e siguresave dhe lidhja vazhduese që përçon rrymën deri te frigoriferët ndodhet në korridor, aty ku frekuentojnë të gjithë të punësuarit në repartin e Mikrobiologjisë dhe Bakteriologjisë. Sipas drejtoreshës së ISHP-së, nga qindra siguresat, janë fikur vetëm ata të frigoriferëve, prandaj Prokuroria duhet të konstatojë nëse fikja e tyre ka qenë e qëllimshme apo e rastësishme.

Pas ndodhisë, Instituti njoftoi se asnjë nga reagensët të cilët ndodheshin nëpër frigoriferë që u fikën nuk janë prishur dhe reparti i Bakteriologjisë vazhdon të funksionojë normalisht.
Megjithatë, janë ndërmarrë masa për të rritur sigurinë. Gjegjësisht, frigoriferët janë zhvendosur në dhomë të posaçme, e cila është e mbyllur, ndërkaq punëtorë të caktuar janë autorizuar për të mbajtur çelësat. Ndërkaq, tani e tutje, marrja e materialeve për dëshminë e kollës së mirë, kryerjen e antibiogrameve ose urokulturë do të evidentohet tërësisht./Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme