Shumë zjarre aktive prej më shumë se 10 ditësh

Vendi nuk gjen qetësi nga zjarret, ndërsa për përhapjen e tyre po ndikojnë edhe më shumë temperaturat tejet të larta që kanë përfshirë vendin. Shumë vatra janë aktive me ditë të tëra,si ai në Galiçicë, Makedonski Brod dhe Dollnen. Nga Qendra për Menaxhim me Krizat kanë informuar se në territorin e vendit aktive janë gjithsej 13 zjarre, ndërsa 8 te tjerë janë nën kontroll.

Beteja më e rëndë me flakët po zhvillohet në Galiçicë. Aksioni për shuarjen e zjarrit po zhvillohet nga toka dhe ajri. Për të ndihmuar janë angazhuar edhe dy helikopterë, ndërsa është mobilizuar njësiti i zjarrfikësve në Ohër, të punësuarit në parkun kombëtar, Qendra për Menaxhim me Kriza dhe ajo për Mbrojtje e Shpëtim si dhe shumë vullnetarë. Tanimë tre ditë zjarrfikësit po tentojnë të shuajnë zjarrin në malin Stogovë në rajonin e Dibrës. Në këtë rajon për momentin janë angazhuar vetëm njësiti zjarrfikës i Dibrës se bashku me të punësuarit e ndërmarrjes rajonale të pyjeve.

Ndërkohë LSDM-ja ka akuzuar sërish autoritetet për mospërkushtim të mjaftueshëm. Sipas partisë opozitare situata me zjarret është alarmante.

“Është mëse e qartë se Qeveria nuk ka kapacitet për t’u përballur me sfidat dhe bën vlerësime të gabuara për situatat. Duhet të sigurohet shfrytëzim i drejtë dhe më efikas i të gjitha resurseve në shtet në luftën kundër zjarreve. Kërkojmë që urgjentisht të bëhet plan……….. Ministri Pançe Toshkovski ose le të zgjohet menjëherë ose urgjentisht të ndërrohet. Nuk mundet që të digjet 5 për qind e territorit, të digjen mijëra kilometra katrorë pyje, ndërsa ministri i cili është përgjegjës për drejtimin e komitetit të krizave të mos shihet askund”, tha Bogdanka Kuzevska, LSDM.

Ndërkohë paralajmërimet për reshje shiu nga e diela mund të ndikojnë në përmirësimin e situatës. Sipas sinoptikanëve pritet ulje e lehtë e temperaturave dhe mot jo të qëndrueshëm deri të martën. Reshje, bubullima dhe erë pritet pothuajse në pjesën më te madhe të vendit./Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme