Shkoi në një dasëm në Kosovë me makinë e përcjellje zyrtare në kolonën e nuses, gjithçka normale sipas Qeverisë dhe kabinetit të Gashit

Gazetare: Fatlume Dervishi

VLEN nuk sheh asgjë joligjore dhe as joetike në udhëtimin e kreut të Kuvendit në Kosovë për të marrë pjesë në një dasmë, i shoqëruar me disa vetura zyrtare dhe, siç shihet në videon e publikuar, i rreshtuar për të kaluar kufirin me kolonën e veturave që shoqërojnë veturën e nuses. Sipas tyre, fakti që vetura zyrtare e kreut të Kuvendit dhe veturat e tjera që e shoqërojnë atë për arsye sigurie janë rreshtuar me veturat e nuses, është pjesë e traditës.

“Është pjesë e traditës që gjithmonë e kemi praktikuar. Nuk është që bëhet pengesë në komunikacion. Është pjesë e traditës tonë që gjithmonë praktikohet në çdo dasmë tonën. Këto situata që në të kaluarën aspak nuk janë diskutuar dhe biseduar, sot pa të drejtë bëhen tema kyçe në media sepse bëhet fjalë për njeriun e dytë në shtet dhe edhe rregullat ligjore e rregullojnë atë gjë. Kreu i Kuvendit kudo që të shkojë është e detyrueshme të jenë në shoqërim të sigurimit”, tha Fari Hiseni, VLEN.

LSDM-ja e konsideron nënçmim për shtetin veprimin e njeriut të dytë në shtet. Sipas tyre, është e vërtetë se sigurimi duhet ta shoqërojë kreun e Kuvendit gjatë gjithë kohës, por ai vetë, për çështje private, duhet të udhëtojë me veturë private.

“Toshkovski dhe MPB-ja duhet sa më shpejt të përgjigjen a ka pasur Gashi urdhër udhëtimi dhe dokument me vete për këtë shkuarje për të marrë nuse. Mbi çfarë baze është dhënë urdhri dhe për sa ditë? Kërkojmë nga mjeshtri i skandaleve Gashi të përgjigjet para qytetarëve se a është etike që me veturë zyrtare të shkojë të marrë nuse në Kosovë? A e din ai që mund të udhëtojë me veturë private kurse sigurimi i tij mund të shfrytëzojë vetura zyrtare? A e din se është nënçmim për shtetin që njeriu i dytë të shkojë nëpër dasma dhe të marrë nuse me veturë zyrtare në shtete fqinje?”, theksoi Bogdanka Kuzeska, LSDM.

Sipas VMRO-DPMNE-së, kreu i Kuvendit duhet të jetë gjatë gjithë kohës i shoqëruar. Ata, si më të rënda, numërojnë disa skandale të qeverisë së kaluar.

“Një bartës i një pozite si Afrim Gashi pasohet nga një protokoll i detyrueshëm dhe shoqërim i vazhdueshëm. E kundërta, të jetë i pashoqëruar dhe i pasiguruar është një vepër e sanksionueshme. Ky vend ka institucione. LSD-ja e ka të vështirë të kuptojë sepse në kohën e tyre ministrat luanin futboll në zyrë gjatë orarit të punës, policët goditnin merimangat, në prani të Ahmetit gjuhej me kallashnikovë kurse Oliver Spasovski u shpërndante pasaportat mafiozëve. Koha e dëshirave personale përfundoi me ndryshimin e qeverisë”, thonë nga VMRO.

Nga kabineti i kreut të Kuvendit Afrim Gashi, një ditë më parë, pretendimet i quajtën të pasakta dhe tendencioze por nuk mohuan pamjet e publikuara. Ata nuk mohuan që Gashi dhe veturat zyrtare që e shoqërojnë të kenë qenë pjesë e veturave që kanë kaluar kufirin për dasmë në Kosovë. Gjithsesi thonë se udhëtimi i Gashit me familjen ka qenë në përputhje me rregullat ligjore dhe protokollet e sigurisë.

“Kryetari i Kuvendit përcillet nga sigurimi 24/7, gjithsesi komfor ligjit. Më 17 gusht 2024, Kryetari i Kuvendit, së bashku me familjen e tij, ka udhëtuar për në shtetin fqinj, në Kosovë. Kjo vizitë ka qenë tërësisht transparente dhe i ka respektuar të gjitha procedurat e nevojshme të sigurisë. Para nisjes janë njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Jashtme dhe është dorëzuar gjithë dokumentacioni i nevojshëm sipas protokollit për çdo zyrtar që largohet nga vendi”, thanë nga Kabineti i kreut të Kuvendit, Afrim Gashi.

Deri tani nga Kuvendi nuk kanë publikuar urdhrin e udhëtimit të Gashit në shtet tjetër për arsye private, arsyen që qëndron e shkruar në këtë urdhër dhe as dokumente të tjera që lidhen me të./Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme