“Drita e Gonxhes”, njerëzimi të marrë mësim nga veprimtaria e Shën Terezës

Gazetare: Ajnur Bafqari

Me manifestime të ndryshme shënohet 114 vjetori i lindjes dhe 27 vjetori i vdekjes së Nënës Terezës. Në edicionin e katërt të manifestimit tradicional kulturor dhe shkencor “Drita e Gonxhes” u promovua revista “Drita e Gonxhes.” Përfaqësuesit e Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve dhe të Qeverisë bënë thirrje që të merret mësim nga veprimtaria e Shën Terezës, e cila gjithmonë do të shërbejë si një urë lidhëse mes kulturave, njerëzve dhe popujve të ndryshëm.

“Me emrin dhe veprën e Shën Nënë Terezës, do të shoqërohemi në pafundësi, por synimi ynë si institut, është që nga ky shoqërim të nxjerrim mësim dhe prej kauzave të saja humane të ndërtojmë sa më shumë ura komunikimi e mirëkuptimi. Sepse vetëm në këtë mënyrë shoqëritë lirohen nga barrat e tepërta të egocentrimit nacional dhe fetarë”, deklaroi Skender Asani, Drejtor i ITSHKSH-së.

“Ajo bashkonte kultura të ndryshme, njerëz të ndryshëm dhe popuj. Ajo edhe sot është ura më e mirë e lidhjes sot, edhe në vendin e prejardhjes, Shkupin. Ajo është fija që i lidh maqedonasit, shqiptarët dhe të gjithë që kanë jetuar në këto hapësira… Të marrim mësim nga kjo shkupjane dhe humaniste e madhe, të respektohemi njëri me tjetrin”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur në të gjithë botën si Nëna Terezë lindi në Shkup më 26 gusht 1910 nga një familje me rrënjë Gjakovën dhe Prizrenin. Gonxhe Bojaxhiu, pasi mbaroi shkollën e mesme në Shkup, në vitin 1928, në moshën 18 vjeçare emigroi fillimisht në Irlandë. Më pas iu bashkua misionarëve të Kishës dhe themeloi atë që në historinë e njerëzimit do të mbahet mend si Misioni i Nënë Terezës. U bë e famshme për humanizmin e saj dhe ndihmën ndaj të sëmurëve dhe të të vobektëve në qytetin metropol të Indisë, Kalkutë. Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë edhe Çmimin Nobel për Paqe. Në vitin 2015 Papa Françesku hapi rrugën që ajo të shpallet e shenjtë nga Kisha Katolike e Romës, ndërsa më 4 shtator të 2016-tës, një ditë para 19 vjetorit të vdekjes së saj, asaj ju dha titulli Shën Nënë Tereza. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme