Mickoski: Më ofruan ryshfet për korridorin 8

Gazetare: Linda Ebibi

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sot, pa zbuluar emra, se dikush i ka ofruar ryshfet për të nënshkruar tenderin për ndërtimin e hekurudhës drejt Bullgarisë, në shumën e 560 milion eurove. Për këtë, ai thotë se ka njoftuar përfaqësues të Komisionit Evropian, Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Investim, prej të cilëve ka pasur mirëkuptim pas shpalosjes së argumenteve.

“Për korridorin 8, seksioni 3 për hekurudhën, ndaj meje ka pasur tentativë të më ofrohet ryshfet, me çka unë si kryeministër të nënshkruaja pranimin e këtij dokumenti tenderi, i cili skadon më 17 shtator. Dhe, për këtë kam thënë se, për aq kohë sa unë jam kryeministër, këtë tender që është në vazhdimësi, dhe që mbyllet më 17 shtator, nuk do ta pranoj“, tha Hritijan Mickoski.

Mickoski tha se nuk mund të nënshkruajë një projekt dhe të shpenzojë gjysmë miliardë euro, para të qytetarëve për një projekt që përfundon në gjysmë tuneli në një rrugë qorre.

“Sa i përket korridorit 8 para nisjes së seancës qeveritare kemi pasur komunikim me zyrtarë nga Brukseli, Komisionit Evropian dhe nga bankat që japin grante, apo huamarrje për këtë projekt, si Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, dhe Banka Evropiane për Investime, dhe mendoj se pas takimit të sotëm, edhe ata e kanë të qartë, se kështu siç është i konceptuar projekti, paraqet problem të madh. Nuk mundem asnjëherë si kryetar i qeverisë të vendos firmë në projekt, të harxhoj gjysmë miliardi euro, para të qytetarëve të mi, për projekt që përfundon në gjysmë tunel në rrugë pa krye. Për aq kohë sa jam kryeministër kjo nuk do të ndodhë”, shtoi Hritijan Mickoski.

Një muaj më parë, Sofja Zyrtare shprehu shqetësim dhe theksoi se po ndjek deklaratat e politikanëve zyrtarë maqedonas që synojnë shkeljen e detyrimeve ndërkombëtare për lidhjen e infrastrukturës, gjegjësisht njoftimet se Shkupi do të kërkojë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ridestinimin e parave evropiane për ndërtimin e komponentit hekurudhor të Korridorit 8 për hekurudhat e shpejtësisë së lartë në Korridorin 10. Në opinion prej kohësh është ngritur alarmi për shpërdorime të shumta sa i përket korridorit 8 dhe atij 10, por deri tani, autoritetet ende nuk kanë ndërmarrë ndonjë masë konkrete të rishikimit të tyre për shkelje./Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme