Pesë muaj burgim dhe dëbim nga Kosova për 5 vjet personit që fyu UÇK-në

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me pesë muaj burgim të akuzuarin Sasha Zllatkoviq, pasi i njëjti pranoi fajësinë lidhur me akuzën se nxori në rrjete sociale një video-xhirim, ku fyhej logoja e UÇK-së dhe nënat shqiptare.

Shpallja e aktgjykimit ndaj tij u bë të enjten nga gjykatësi i rastit, Kushtrim Shyti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, në dënimin e shqiptuar me burgim të njëjtit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 22.07.2024, ndërsa do t’i vazhdohet edhe masa e paraburgimit nga dita e sotme derisa ky aktgjykim të bëhet i plotfuqishëm, por jo më gjatë se koha e dënimit të shqiptuar.

Po ashtu gjykata, ndaj të akuzuarit Zllaktoviq shqiptoi edhe dënimin plotësues – dëbim i të huajit nga territori i Republikës së Kosovës në kohëzgjatje prej pesë vite, mirëpo koha e mbajtur në burg nuk i llogaritet në kohëzgjatjen e këtij dënimi.

Gjithashtu, i akuzuari obligohet që të paguajë edhe shpenzimet procedurale dhe atë për paushallin gjyqësor shumën prej 100 euro si dhe për Fondin e kompensimit e viktimave të krimit shumën prej 100 euro.

Ndërsa, kërkesë pasurore-juridike në këtë çështje penale nuk pati, kurse palët e pakënaqura kundër këtij vendimi kanë të drejtë ankese përmes kësaj gjykate në Gjykatën e Apelit.

Pasi që gjykatësi përfundoi shpalljen e aktgjykimit, mbrojtësi i të akuzuarit Zlatkoviq, avokati Shyqyri Syla pyeti gjykatësin nëse dënimi i shqiptuar me burgim mund të zëvendësohet në dënim me gjobë, por këtë nuk e mundësoi gjykatësi Shyti. /BpD

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme