Instituti i Mjekësisë Ligjore ka publikuar ekspertizën mjekoligjore të Eglantin Progës, 42 vjeçarit i cili u dhunua për vdekje më 10 gusht 2024 në qytetin e Pogradecit, nga Denis Meçe.
Në akt-ekspertim përshkruhet se tek viktima janë konstatuar fillimisht dëmtime në ballë, hundë, vesh, faqe dhe supin e majtë.
Këto dëmtime, shkruhen të jenë shkaktuar nga mjet të fortë mprehës, apo dhe goditja me grushte.
“Hemorragji në cipën e trurit dhe hemorragji e indit trunor” rezulton të jetë arsyeja e vdekjes së 42 vjeçarit.
Gjithashtu, në akt ekspertizën cilësohet se në mostrën e gjakut të viktimës u zbulua prania e alkoolit etilik në vlerën mesatare 2.82 g/L.
Rezultatet e akt-ekspertizës janë dërguar pranë Prokurorisë së Korçës, e cila kjo e fundit po vijon me hetimet për vrasjen e Egli Progës.
Nën masën “arrest në burg” ndodhet Denis Meça, i cili akuzohet për vrasjen e 42 vjeçarit, ndërsa janë proceduar penalisht Voltan Shkulaku, Leonidha Guçe dhe Arjan Manellari, të cilët akuzohen se nuk kanë kallëzuar krimin.
Kujtojmë se Prokuroria e Korçës ka lehtësuar akuzën për Denis Meçe, nga “vrasje me dashje” në “vrasje nga pakujdesia”, gjë që ngjalli reagime të ashpra nga opinioni publik, po kështu përplasje mes organeve Policia e Shtetit – Prokuroria e Korçës – Gjykata e Shkallës së Parë të Korçës.