REL: Budapesti mohon se pajisjet komunikuese që shpërthyen në Liban ishin prodhuar në Hungari

Qeveria hungareze e ka mohuar se pajisjet komunikuese, ose pejxherët, e përdorur në shpërthime vdekjeprurëse në Liban dhe Siri më 17 shtator ishin prodhuar në Hungari.


PAJISJE

Kompania tajvaneze Gold Apollo tha më herët të mërkurën se e kishte autorizuar përdorimin e markës së saj në pejxherët që shpërthyen në Liban, duke shtuar se ato ishin prodhuar nga një kompani tjetër, me bazë në Budapest.

Pejxherët ishin prodhuar nga BAC Consulting KFT, me bazë në kryeqendrën e Hungarisë, sipas Gold Apollo.

Megjithatë, zëdhënësi i Qeverisë hungareze, Zoltan Kovacs, e mohoi të mërkurën vonë se prodhimi i tyre ishte bërë në Hungari.

“Autoritetet hungareze janë të lumtura që kompania në fjalë ishte një kompani ndërmjetëse në tregti, nuk ka prodhuar e as nuk ka godinë të veten në Hungari. Ajo e kishte vetëm një menaxher kryesor të kompanisë në adresën e deklaruar dhe asetet e përmendura nuk kanë qenë kurrë në Hungari”, tha Kovacs në Facebook.

Ai shtoi se shërbimet kombëtare të sigurisë së Hungarisë janë të hapura për të bashkëpunuar me shërbimet partnere ndërkombëtare në hetimin e rastit.

Ky rast, theksoi ai, nuk përbën rrezik për sigurinë kombëtare të Hungarisë.

Pejxherët – pajisje të telekomunikimit me valë – e përdorur nga grupi militant Hezbollah, i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shpërthyen pothuajse në të njëjtën kohë gjatë 17 shtatorit në Liban dhe në Siri, duke vrarë të paktën 12 persona, përfshirë dy fëmijë, dhe duke plagosur rreth 3.000 njerëz.

Hezbollahu dhe qeveria libaneze kanë fajësuar Izraelin për atë që u duk të ketë qenë një sulm i sofistikuar nga largësia. Izraeli nuk i ka komentuar këto pretendime.

Kreu i Gold Apollo, Hsu Ching-kuang, u tha gazetarëve se kompania e tij ka pasur marrëveshje licencimi me BAC për tre vjetët e kaluar, por nuk ka ofruar dëshmi të kontratës.

Kompania hungareze përbëhet vetëm nga një person, ka gjetur Shërbimi hungarez i Radios Evropa e Lirë.

BAC pretendon se është kompani tejet e suksesshme e konsultimeve, por shumë prej karakteristikave të saj sugjerojnë se ajo nuk është marrë me një gjë të tillë.

Kompania hungareze është themeluar dy vjet më parë, ndërsa pronare dhe punonjëse e vetme e saj figuron 49-vjeçarja Cristiana B.-A..

Para se ta themelonte kompaninë, Cristiana B.-A. është angazhuar si sipërmarrëse individuale nga distrikti i Ujpeshtit, në Budapest. E njëjta ishte regjistruar më parë si sipërmarrëse edhe në Francë.

BAC si adresë paraqet një ndërtesë në distriktin Zuglo të Budapestit. Një punonjës atje i ka thënë REL-it se nuk ka takuar kurrë ndonjë punonjës nga BAC./REL

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme