Shqipëria do të hapë kapitujt e parë të negociatave me Bashkimin Evropian në Konferencën Ndërqeveritare që do të mbahet më 15 tetor.
Këtë e ka konfirmuar sot kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i cili priti homologun e tij shqiptar Edi Rama për një vizitë në Budapest.
Hungaria aktualisht mban presidencën e rradhës të Këshillit të BE-së.
Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm (COREPER), një organ përgatitor i Këshillit të BE-së, pritet të zhvillojë një mbledhje të premten pasdite, gjatë së cilës pritet të miratohet Pozicioni i Përbashkët i Bashkimit Evropian për negociatat me Shqipërinë në Cluster 1. Kjo do të kompletonte hapat procedural të kërkuar për hapjen e kapitujve të negociatave.
“Ne nuk flasim vetëm për përshpejtimin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor, ne ia dalim!”, ka postuar sot Viktor Orbán në llogarinë e tij X, duke shpallur datën e hapjes së Cluster-it të parë me Shqipërinë.
Në fjalën e tij në konferencën për shtyp me Orbanin, Edi Rama falënderoi Hungarinë dhe komisionerin në largim Oliver Varhelyi për mbështetjen e tyre.
Grupi 1: Bazat përbëhet nga Kapitulli 5: Prokurimi publik, Kapitulli 18: Statistikat, Kapitulli 23: Gjyqësori dhe të drejtat themelore, Kapitulli 24: Drejtësia, liria dhe siguria dhe Kapitulli 32: Kontrolli financiar.
Kapitujt 23 dhe 24 konsiderohen si më të rëndësishmit dhe ndër më të vështirët për t’u mbyllur, duke mbuluar çështjet e shtetit të së drejtës, duke përfshirë pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe lirinë e medias.
Grupi 1 përfshin gjithashtu fushat e funksionimit të institucioneve demokratike dhe reformën e administratës publike, si dhe kriteret ekonomike. Këto fusha nuk janë të organizuara në kapituj të veçantë.
Sipas metodologjisë së zgjerimit të BE-së, e rishikuar për herë të fundit në vitin 2020, Cluster 1 hapet i pari dhe mbyllet i fundit. Progresi në këto fusha do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave.
Shqipëria do të bëjë kështu hapin tjetër në negociatat e anëtarësimit me BE-në, pas hapjes zyrtare të negociatave në korrik 2022. Ajo do t’i bashkohet Malit të Zi dhe Serbisë si vendi i tretë i Ballkanit Perëndimor që hap kapitujt e negociatave.
Muajin e kaluar, Shqipëria u shkëput nga Maqedonia e Veriut, e cila mbetet e bllokuar në rrugën e saj të anëtarësimit për shkak të vetos së Bullgarisë. Vendimi u kritikua nga analistë.