Gazetar: Suad Bajrami
Zhvillimi i infrastrukturës digjitale, avancimi i shkathtësive digjitale të qytetarëve, modernizimi i shërbimeve publike dhe mbështetja e bizneseve në transformimin digjital, janë shtyllat kryesore të Strategjisë Nacionale për Zhvillimin Informatiko-komunikues dhe Telekomunikues, e cila do të hartohet në periudhën në vijim, shkruan Alsat.
Në lidhje me atë nëse Strategjia do t’i detyrojë institucionet t’i këmbejnë informatat dhe dokumentet në vend që qytetarët të enden nëpër sportele, ministri Stefan Andonovski thekson se kjo do të parashikohet, megjithatë momentalisht është e pamundur.
“Por ajo për momentin është e pamundur pasi që nuk keni fillimisht Platformë për Interoperabilitet të cilën e shfrytëzojnë të gjitha institucionet. Kemi platformë, e shfrytëzojnë më pak se 30 institucione, janë të kyçura më pak se 60 institucione që është humbje për shtetin pasi që ajo platformë është e pranishme tanimë 11 vite në Maqedoni. Dhe elementi i dytë është që të duan institucionet proceset e brendshme t’i digjitalizojnë që do të thotë, ndryshim të rregullativës ligjore, akteve nënligjore dhe shfrytëzim të veglave digjitale”, tha Stefan Andonovski, ministër i Transformimit Digjital.
Në pyetjen shtesë për të sqaruar nëse Strategjia do të mundësojë digjitalizim real të shërbimeve, apo eventualisht heqjen dorë nga dokumentet në letër nëpër institucione ashtu siç është në Shqipëri dhe Kosovë, ndërhyri kryeministri Hristijan Mickoski.
“Nuk është ashtu në Shqipëri, nuk është askund ashtu, nuk është as në Suedi, nuk është askund. Megjithatë, po, shërbime pa letër, sa më shumë që të jetë e mundur do të jetë qëllimi ynë, atë deshi ta thotë edhe Stefani në përgjigjen e tij”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryeministër.
Mickoski, duke folur për Strategjinë, tha se digjitalizimin e sheh si prioritet kyç, ndërkaq qëllimi është që deri në vitin 2030 të jemi në hap me Evropën.
Rikujtojmë që Komisioni Evropian dy vite radhazi i rekomandoi Maqedonisë së Veriut ta harmonizojë legjislacionin me atë të BE-së në lidhje me procesin e digjitalizimit. Sipas ekspertëve, Maqedonia e Veriut është mbi një dekadë mbrapa BE-së në procesin e digjitalizimit./ Alsat.mk