KQZ-ja ka zgjedhur zyrtarët ekzekutivë të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në katër komunat e veriut të banuara kryesisht me serbë. Zyrtarët e mëparshëm që ishin larguar në kohën e dorëheqjeve të koordinuara nuk janë kthyer në pozita, por ato janë plotësuar me të rinj, nëpërmjet konkursit. Njohës të zhvillimeve politike thonë se me këtë ka nisur riintegrimi i serbëve në institucionet e Kosovës, të cilat i kanë braktisur rreth dy vjet më parë
Serbë të komunave të veriut të Kosovës kanë nisur t’u kthehen institucioneve të shtetit, të cilat i braktisën dy vjet më parë, me kërkesë të Listës Serbe, subjekt politik që mban lidhje të forta me Beogradin zyrtar.
Përmes një konkursi të hapur, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka rekrutuar zyrtarët ekzekutivë të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve (KKZ) në këtë pjesë, pozita të cilat janë lënë bosh që prej dorëheqjes së orkestruar nga të gjitha institucionet lokale e qendrore.
Zyrtarët e rinj të kontraktuar i përkasin etnisë serbe dhe nuk janë ata që ishin dorëhequr. Të rinjtë do t’i menaxhojnë qendrat komunale të KQZ-së në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin-Potok. Ata kanë lidhur marrëdhënie pune në prag të zgjedhjeve të rregullta parlamentare.
Në të dy proceset e fundit të votimeve që janë organizuar në këto komuna – njëri për zgjedhjen e kryetarëve të rinj pas dorëheqjes së serbëve, dhe tjetri për shkarkimin ose jo të kryetarëve të rinj – zyrat e këtyre komisioneve kanë pasur vështirësi të shumta funksionimi në mungesë të zyrtarëve e edhe për shkak të sulmeve nga serbët lokalë.
Në KQZ shprehën pritjen se për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit nuk do të kenë këso sfidash.
“Të gjitha Komisionet Komunale të Zgjedhjeve janë funksionale, përfshirë edhe të komunave Zveçan, Zubin-Potok, Mitrovicë e Veriut dhe Leposaviq, të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre në objekte shtetërore. Pas zhvillimit të procedurave të konkursit të hapur, KQZ-ja ka përzgjedhur katër zyrtarët ekzekutivë të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në këto komuna”, thuhet në një përgjigje të shkruar që KOHËS ia dha KQZ-ja.
E, Arianit Elshani, anëtar i KQZ-së i propozuar nga Partia Demokratike, ka thënë se punën e Bojan Orlloviqit në Zveçan, Xhorgje Petroviqit në Leposaviq, Çedomir Xhorxheviqit në Zubin Potok dhe Ivana Kompiroviqit në Mitrovicë të Veriut do ta lehtësojnë edhe zyrtarë tjerë të komunave përreth.
“Tanimë procesi ka përfunduar. Janë zgjedhur katër zyrtarë në këto komuna, por nuk janë vetëm ata. Ne do t’u japim mbështetje edhe përmes katër komunave në regjion”, ka thënë ai.
Në dy proceset paraprake të votimit në komunat e veriut, Komisionet Komunale Zgjedhore janë drejtuar nga zyrtarët ekzekutivë të komunave të tjera: Në Mitrovicë të Veriut ka qenë Zyrtari Ekzekutiv i Mitrovicës së Jugut, nëZubin Potok ai i Skenderajt, në Zveçan ai i Drenasit e në Leposaviq Zyrtari Ekzekutiv i Vushtrrisë.
Krahas anëtarëve të KKZ-ve, në të katër komunat e veriut ishin dorëhequr edhe kryetarët e komunave dhe asamblistët serbë, policët, gjyqtarët, prokurorët dhe punonjës tjerë të autoriteteve shtetërore, qoftë në komuna apo në nivel qendror. Masa është ndërmarrë si kundërpërgjigje ndaj veprimeve të Qeverisë për ta shtrirë sovranitetin në këtë pjesë.
Por, në muajin e shkuar, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, bëri thirrje për riintegrimin e serbëve në veri të Kosovës. Ai kërkoi që Kosova t’ua mundësojë të dorëhequrve të vendosen në vendet e punës që i kanë braktisur, por këtë e kanë mohuar autoritetet shtetërore, që kanë insistuar se të dorëhequrit i kanë humbur vendet e punës dhe se pozitat do të plotësohen me konkurs.
E, interesimin e serbëve për punësim, njohësi i çështjeve politike, Basri Muja, e sheh si një fillim të riintegrimit të tyre në institucione. Ai thotë se serbët kanë filluar të veprojnë kësisoj, pas zhgënjimit nga udhëheqësit e tyre politikë, që i kanë detyruar t’i lënë vendet e punës.
“Mendoj që pas zhvillimit të fundit në pjesën veriore të vendit dhe posaçërisht pas ngjarjeve në Banjskë, institucionet e Serbisë dhe proksi i tyre në Kosovë, Lista Serbe e kanë humbur në masë të madhe kredibilitetin te qytetarët e asaj pjese të vendit… Në këtë kontekst, e shoh edhe punësimin e kohëve të fundit të pjesëtarëve të komuniteteve lokale në këtë pjesë të vendit në bizneset e posa hapura, në atë pjesë, porse edhe në institucionet shtetërore të Kosovës, siç është rasti me punësimet në KKZ”, është shprehur Muja.
KQZ-ja ka emëruar rreth 250 anëtarë të 38 Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në të gjithë Kosovën.
Gjatë organizimit të zgjedhjeve në veri, në dhjetor të atij viti, për të kundërshtuar vendosjen e zyrtarëve të KQZ-së në Komisionet Komunale të saj, serbët lokalë kishin sulmuar me granata dore zyrat e KKZ-ve në Mitrovicë të Veriut e Zubin Potok. Për katër prej sulmuesve është duke u zhvilluar proces gjyqësor në Gjykatën Themelore në Prishtinë./Koha.net