Gazetare: Xhesika Sallahi
Arrestohet ish presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta. Ai u arrestua nga SPAK, nën akuzat për tri vepra penale.
Ilir Meta akuzohet për pastrim parash, korrupsion dhe pasuri të padeklaruar. Meta u arrestua teksa po udhëtonte për të shkuar në një konferencë të thirrur për media, shkruan Alsat.
Pos arrestimit të Metës, SPAK vendosi edhe masën e sigurisë, detyrim paraqitje për deputeten Monika Kryemadhin, ish bashkëshortja e Metës. Në reagimin e parë, ajo tha se këto janë sulme të drejtësisë ndaj opozitës shqiptare.
Çifti Meta-Kryemadhi janë prej kohësh, nën llupën e SPAK. Ndaj Metës ka edhe çështje të tjera hetimore si dosja Cez-Dia. Ai akuzohet për kontratë lobuese rreth 700 mijë dollarë për Lsi-në, në SHBA.
Meta është kallëzuar në SPAK edhe ndaj ish-deputeti Halit Valteri. Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi nuk deklaruan shpenzimet për ndërhyrjet estetike, jashtë shtetit. Në deklaratat e mëparshme të Metës në prokurorinë e posaçme, ai ja ka faturuar bashkëshortes së tij Kryemadhit, çështjen e pronave dhe financat.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi janë në proces divorci, prej disa muajsh. Monika Kryemadhi është gjithashtu nën hetim pasuror nga SPAK.
Ka reaguar edhe avokati i Ilir Metës, i cili ka thënë se Meta do të përballet me procesin.
“Pas një rrëmbimi bandideskt me një sjellje tjetër jo ligjore ndodh me një person që ka që disa herë në Spak ka dhënë shpjegime me çfarë e kanë pyetur kjo çështje ka 5 vite, ka 5 vite në duart e prokurorëve, dyshja Rama-Dumani, mashat e ish bashkëpunëtorëve të Ilir Metës dhe mashat ndaj tyre. Ai është i vendosur të përballet me procesin, çdo gjë që shkruhet në këtë vendim është i qartë”, tha Genc Gjokutaj, Avokat i Ilir Metës.
Opozita shqiptare e sheh arrestimin e Metës si persekutim politik.
“Çdo gjë ndaj tij është politike. Persekutimi politik i Ilir Metës është politik, politik dhe vetëm politik. Nuk kanë publikuar asnjë fakt, asnjë dokument, por kanë zbatuar urdhrat e Edi Ramës, i cili është përpjekur me të gjitha mënyrat për eliminimin politik, e ndoshta edhe fizik të Ilir Metës”, theksoi Sali Berisha, Kreu i Partisë Demokratike.
Për arrestimin e Ilir Metës ka reaguar ashpër edhe sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Ted Blushi, duke thënë se ky është një akt “kriminal” dhe do të japin përgjigjen shembullore. Blushi e cilësoi kreun e Prokurorisë së Posaçme si Osama Bin Laden e drejtësisë shqiptare.
“Ka guxuar sot të marrë peng ish-Presidentin, ish-kryeministrin dhe ish-kryetarin e Parlamentit. Kam edhe një mesazh për ata horra me kapuç të zinj sot, që guxuan të vënë dorën mbi Presidentin e Partisë së Lirisë, e kanë personale me ne. Sepse mënyra dhe akti kriminal i paligjshëm dhe terrorist i një strukture terroriste që tenton të eliminojë opozitën do të marrë një përgjigje shembullore”, tha Ted Blushi, Zëdhënës i Partisë Së Lirisë.
Ilir Meta kishte shërbyer në postin e presidentit të Shqipërisë nga viti 2017 deri më 2022.
Përveç ka mbajtur postin e presidentit, Meta kishte qenë edhe kryeministër, kryetar Kuvendi dhe ministër i Jashtëm./ Alsat.mk