Bujanoc – Presidenti shqiptar, Bujar Nishani, do të vizitojë sot, sipas paralajmërimeve, komunat në jug të Serbisë me një popullsi shumicë shqiptare, shkruan B92.
Vetë paralajmërimi ka shkaktuar reagimet e politikanëve në Serbi, si të shqiptarëve ashtu edhe të serbëve, thekson B92, transmeton Gazeta Express.
Siç ka thënë më parë Kryetari i Këshillit Kombëtar të shqiptarëve, Jonuz Musliu, Nishani vjen për t’u njohur me kushtet e jetesës së shqiptarëve, duke pretenduar se për shqiptarët, në bazë të Kushtetutës së Shqipërisë, duhet të kujdeset shteti amë.
“Ai vjen për të vizituar shqiptarët sepse Kushtetuta e Shqipërisë thotë se të gjitha të drejtat e shqiptarëve duhet të mbrohen nga shteti i Shqipërisë”, tha Musliu.
Nishani do të jetë presidenti i parë i Shqipërisë që nga viti 1948, që nga vizita e Enver Hoxhës, i cili shkon në Serbi.
Ministri i Punës në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, ka reaguar për këtë deklaratë dhe tha se “ajo është e rrezikshme, që ngjall konflikte aty ku nuk ka dhe tha se ai i cili flet kështu është armik i shqiptarëve, serbëve dhe jetës paqësore”.
Vulin ka thënë se për shqiptarët në jug të Serbisë dhe pjesën tjetër të territorit të saj kujdeset Republika e Serbisë, si edhe për çdo qytetar tjetër që jeton në Serbi, duke marrë parasysh specifikat e secilës bashkësi nacionale, që të drejtat e të gjithëve janë të mbrojtura dhe në asnjë mënyrë të shkelura.
Ne jemi dëshmitarë, ka thënë Vulin, se “në Ballkan përsëri po zgjohet politika shqiptaromadhe dhe gjithnjë e më shpesh në fqinjësinë tonë po shohim se çfarë ndodh kur fillohet që të flitet për ribërjen e kufijve, ndërhyrjet në punët e brendshme të një vendi tjetër dhe se si dikush ka të drejtën ekskluzive për të përfaqësuar dikë”.
Komuna e Bujanocit ka bërë thirrje qytetarëve që në mesditë të përshëndesin presidentin shqiptar dhe t’i tregojnë atij mikpritje.
Nishani nuk vjen ilegalisht në Bujanoc, por me ftesë dhe me pëlqimin paraprak të Beogradit, tha për gazetën “Politika”, zëvendëskryetari i Komunës së Bujanocit, Stojança Arsiq, i cili vuri në dukje se po krijohet paniku pa nevojë si dhe rritja e tensioneve në komunitetin serb.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, ka thënë se nuk pret tensionim gjatë kësaj vizite.
“Detyra jonë është që të mos lejojmë që tensione të tilla të kërcënojnë sigurinë e qytetarëve, kudo që jetojnë në Serbi, dhe ne do të përpiqemi që kjo vizitë të kalojë ashtu”, ka thënë Stefanoviq.
“Mysafirët tanë do të ndjehen të mirëpritur në Serbi, pavarësisht nëse neve na pëlqen ajo që ata kanë për të thënë. Ata janë të sigurt në vendin tonë”, theksoi Stefanoviq.
Jugun e Serbisë, të banuar nga popullata shqiptare, e vizitoi në vitin 2014 edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përkujton B92.
Ai, në një vizitë zyrtare në Serbi, vizitoi Preshevën dhe bisedoi me udhëheqësit e shqiptarëve.