Gazetar: Suad Bajrami
Për faljet e presidentes Gordana Siljanovska Davkova kanë reaguar ashpër nga LSDM-ja opozitare. LSDM kërkon nga presidentja ta tërheqë vendimin. Bogdanka Kuzeska, thekson se me këtë vendim skandaloz, do të inkurajohen grupet kriminale, me çka do të rrezikohet siguria e vendit dhe do të cenohet sundimi i së drejtës.
“Tronditëse janë faljet skandaloze nga ana e presidentes Siljanovska-Davkova, e cila ka dënuar kriminelë të dënuar, pjesë të narko-klaneve, të arrestuar në aksione të mëdha policore me konfiskim të armatimit, parave dhe drogës. Më tronditëse është falja e përfaqësuesve të narko-klanit kriminal Baron, por edhe familjarëve të të njohurit Shenki. Për një pjesë të të falurve ka indicie të bazuara se janë të përzier edhe në vepra tjera penale dhe përleshje kriminale, siç ishte gjuajtja me armë në Çair. Të falur janë edhe ish kryetari i Komunës së Manastirit, Vlladimir Talevski i cili ishte në burg për shkak të aktgjykimit në rastin Transportuesi dhe Marjan Efremov, i dyshuar i parë në aferën Spiuni. Me këto vendime skandaloze, Siljanovska Davkova, u vu në mbrojtje të kriminelëve dhe narko-klaneve”, deklaroi Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së.
Edhe partia E Majta, vendimin e presidentes e quan skandaloz. Për më tepër, sipas partisë me të cilën udhëheqë Dimitar Apasiev, kjo është larje e borxheve të partisë ndaj nëntokës kriminale.
“Vendimi skandaloz i presidentes Siljanovska të falë kriminelë të cilët janë pjesë të narko grupeve tregon se edhe pushteti i saj ka “borxhe” ndaj nëntokës kriminale. Mu Siljanovska e akuzonte Pendarovskin se ka falur një anëtar të klanit Baron, që më pas të dalë lajmi se presidentja falë një kriminel nga ky grup i cili e terrorizon Shkupin”, thonë nga Partia E Majta.
Nga ana tjetër, partia VMRO-Popullore e udhëhequr nga Lubço Georgievski ka dërguar apel te presidentja që t’i falë dhe lirojë të burgosurit për rastin e dhunës në Kuvend më 27 Prill të vitit 2017. /Alsat.mk